Në ditën e formimit të Ushtrisë, deputetët e LDK-së bëjnë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës

Me rastin e mandatimit të sotëm në Kuvend, të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së ka bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i Ministrit të parë të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri ka thënë se kjo ditë mbetet historike për popullin e Kosovës dhe meritën e ka Komandanti i parë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës, ish-Presidenti Rugova, i cili ndërtoi rrugën për formimin e ushtrisë të shtetit tonë.

“Është kulmimi i sakrificës së popullit të Kosovës që rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe, sot mandatimit të ushtrisë së Kosovës. Po bëjmë homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Komandanti Suprem i Ushtrisë së Kosovës për të kujtuar kontributin e tij drejt shtetformimit të vendit tonë, ne aleancë të fuqishme me ShBA-të, Gjermaninë, Britaninë dhe gjithë botën perëndimore”.

Deputetët e LDK-së, kanë vazhduar te varri i Kolonel Ahmet Krasniqit, në nderim të veprës së tij.

“Njëkohësisht po bëjmë homazhe te Ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi i cili dedikoi jetën për çlirimin dhe lirinë për një Kosovë të pavarur. Urime qytetarëve të Kosovës formimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur në vazhdimësi këtë transformim dhe është e bindur se kjo ushtri do t’i shërbejë gjithë vendit dhe rajonit për siguri, paqe dhe stabilitet.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi