Ndizet lufta tregtare BE-SHBA

Bashkimi Europian (BE) dhe SHBA-të kanë ngritur nivelin e kërcënimeve, përfshirë edhe sektorin e automjeteve që është kritike për tensionet tregtare të cilat nisën me vendosjen e tarifave doganore për produkte të ndryshme në mënyrë të ndërsjellë.

Shqetësimi dhe ndarja që ka ndikuar BE-në, partneren tradicionale në politikat e ekonomisë mbrojtëse dhe vendimet tregtare të SHBA-ve ka sjellë edhe kundërpërgjigjet konkrete tregtare.

Përfshirja e vendeve të BE-së në vendimin e SHBA-ve për të vendosur tarifa doganore shtesë për importet e çelikut dhe aluminit që SHBA-të kanë vënë në praktikë me arsyetimin e sigurisë kombëtare kanë shkaktuar ndezjen e fitilit të një lufte tregtare midis dy blloqeve.

Me hapat përkatës të ndërmarrë në mënyrë të ndërsjellë jo vetëm që u rritën mosmarrëveshjet tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve, por së fundmi u përfshinë edhe automjetet në luftën e filluar tregtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 9 mars njoftoi se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i një tarife doganore me 25 për qind dhe 10 për qind, ndërsa për BE-në kishte bërë një përjashtim të përkohshëm deri më 1 qershor.

BE-ja duke treguar si arsyetim se ishte aleat i ngushtë i SHBA-ve dhe se nuk ishte një kërcënim për sigurinë e saj globale, ajo i bëri thirrje SHBA-ve që të përjashtohej nga tarifa doganore shtesë, ku dhe negociatat mes palëve nuk mundën të siguronin që SHBA të ndryshonte mendimin.

– Vazhduan kundërpërgjigjet tregtare

Pasi SHBA vendosi në zbatim tarifën doganore shtesë për aluminin dhe çelikun, BE-ja këtë luftë tregtare e referoi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe ajo brenda një kohe të shkurtër filloi të japë kundërpërgjigjet tregtare.

BE-ja mori masa balancuese ndaj tarifave doganore shtesë të SHBA-ve për aluminin dhe çelikun e importuar, me çka vendosi në zbatim tarifën me 25 për qind shtesë ndaj produkteve të ndryshme amerikane, praktikë kjo e cila cila filloi më 22 qershor.

BE-ja në fazën e parë vendosi një tarifë doganore prej 2.8 miliardë euro për produktet e SHBA-ve, ndërsa ka njoftuar se për pjesën tjetër me vlerë prej 3.6 miliardë euro do ta marrë në periudhën e ardhshme.

– Kërcënimet për tarifën e automjeteve

Pas këtij vendimi, presidenti Trump njoftoi duke kërcënuar se do të vendosë në zbatim tarifën doganore shtesë me 20 për qind për të gjitha automjetet e importuara nga Evropa.

Ai tërhoqi vëmendjen se SHBA nuk do të tërhiqet në çështjen tregtare.

“Nëse nuk hiqen dhe shkatërrohen të gjitha barrierat tregtare dhe të tarifave që BE-ja zbaton një kohe të gjatë ndaj kompanive të mëdha dhe punonjësve amerikanë, ne do të vendosim tarifën doganore me 20 për qind për të gjitha automjetet e ardhur në SHBA. Le t’i prodhojnë këtu”, tha Trump.

Ndërsa edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jyrki Katainen, vuri në dukje se do të japin kundërpërgjigje tregtare nëse SHBA hedh këtë hap.

“Nëse SHBA vendos të rritë tarifat doganore ndaj automjeteve të importuara nga BE-ja atëherë edhe ne nuk kemi alternativë tjetër përpos se t’i kundërpëgjigjemi”, tha ai.

– “BE-ja e keqe po aq sa Kina”

Presidenti amerikan në një program televiziv vazhdoi kërcënimin në një nivel më lartë me ç’rast deklaroi se “BE-ja është aq e keqe sa edhe Kina, por vetëm pak më e vogël”.

Ai tha se janë të vetëdijshëm për atë që BE-ja po bën në sektorin e automjeteve. Trump ka akuzuar prodhuesit evropianë se kanë penguar punën e industrisë automobilistike amerikane.

KE-ja e cila ka autoritetin për të bërë marrëveshje dhe për të negociuar marrëveshje tregtare në emër të 28 shteteve anëtare të Unionit, i ka dërguar një letër Departamentit Amerikan të Tregtisë duke dhënë një vlerësim zyrtar prej 11 faqesh, nëse shkakton apo jo kërcënim të sigurisë kombëtare importi i automjeteve dhe pjesëve rezervë në SHBA.

Në letër u theksua se vendosja e tarifave shtesë doganore nga SHBA-të mbi automjetet e importuara do të ishin kryesisht të dëmshme për ekonominë e saj.

– Paralajmërim për kundërpërgjigje në vlerë prej 294 miliardë dollarë

Ndër të tjera në letër vihet theksi se është e panevojshme dhe ekonomikisht e parëndësishme praktika e tarifës shtesë për automjetet dhe pjesët rezervë të SHBA-ve. Më tej thuhet se sipas vlerësimeve paraprake të bëra në përvojën e çelikut dhe aluminit, vendimi i SHBA-ve për tarifa shtesë ndaj automjeteve dhe pjesëve rezervë të importuara do të jetë shkak i masave dhe kundërpërgjigjeve kundërbalancuese në importet tregtare në vlerë prej 294 miliardë dollarë në kuptimin global.

Po ashtu në letër paralajmërohet se efekti ekonomik që do të dalë mund të arrijë në një dimension edhe më serioz kur merren parasysh edhe partnerët tjerë tregtarë të SHBA-ve.

Kështu, marrëdhëniet aleate, të cilat po përjetojnë një proces të tensionuar, me kontradiktat në çështjet komerciale morën trajtën e një lufte tregtare.

– Liderët do të bisedojnë

Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, në fund të Samitit të Liderëve të BE-së në Bruksel njoftoi se ai do të zhvillojë kontakte në Washington më 21-22 korrik ku ai është i ftuar nga Trump për të diskutuar mbi tensionet e përjetuara tregtare.

Në takimin e planifikuar, BE dhe SHBA do të gjejnë mundësinë që të diskutohen në nivel liderësh tensionet tregtare në fjalë.

Pas kësaj faze Departamenti Amerikan i Tregtisë do të vlerësojë nëse importimi i automjeteve dhe pjesëve rezervë nga BE-ja do të përbëjë apo jo një rrezik kombëtar.

SHBA-ja në situatën aktuale zbaton një tarifë prej 2.5 për qind për automjetet e importuar nga BE-ja dhe për kamionët një taksë prej 25 për qind. Ndërsa BE-ja një tarifë doganore prej 10 për qind ndaj importeve të automjeteve amerikane.

Automjetet në ekonominë e BE-së dhe në tregtinë ndërkombëtare kanë një vend të rëndësishëm. Prodhuesit më të mëdhenj gjermanë të automjeteve si Volkswagen, Daimler dhe BMW gjithashtu kanë fabrika të mëdha prodhimi në SHBA.

Sipas të dhënave, kompanitë evropiane në SHBA brenda një viti shesin automjete në vlerë prej 48 miliardë euro. Më shumë se gjysma e këtyre shitjeve bëhen nga kompanitë gjermane. Sektori i automjeteve siguron rreth 12 milionë vende pune në të gjithë BE-në. Sektori gjithashtu siguron 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të BE-së./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi