Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari: ja helmi anti-musliman në një tekst shkollor!

Në një mesazh të gjatë në FB, Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari, ka denoncuar rastin e një teksti shkollor, ku siç ai e ilustron dhe me foto, janë fshirë qëllimisht disa të dhëna mbi objektin e kultit në kalanë e Shkodrës, që sipas tij kanë të bëjnë me projektin keqdashës të fshirjes së elementit islam nga kjo kala historike.

“Teksti “Vendlindja ime – Shkodra” cek edhe xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut, që asnjëherë se përmend si të tillë!? Pavarësisht tendencave përçarëse fetare të mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës ndër vite, si dhe nga ndonjë ambasadë e huaj në vendin tonë, historia mbetet histori; faltorja e kalasë Shkodër është xhami, jo katedrale a kishë, sikurse e prezanton libri në fjalë dhe sikur e gjejmë edhe në emërtimet zyrtare në google me një tendencë të dukshme përjashtuese të elementit dhe identitetit islam të saj!

Këto janë tema delikate, për të cilat nuk duhet të ketë asnjë tolerancë ndaj kujtdo dhe nuk duhen lejuar që këto tekste të përhapen në mesin e fëmijëve tanë. Jo në këtë mënyrë, jo në këtë rrobë!”

Por denoncimin e tij, Myftiu Sytari e nis dhe me një pjesë tjetër përmbajtësore të tekstit shkollor, ku qëllimisht sipas tij, ndër personalitetet e Shkodrës nuk është renditur asnjë musliman dhe kjo qëllimisht:

“Libri në fjalë është një tekst racist me tendencë antiislame të theksuar, dukuri që vihet re, sidomos në kapitullin e figurave të shquara të Shkodrës. Po i rreshtoj, sipas rendit që autoret kanë përzgjedhur: Marin Barleti, Marin Biçikemi, Oso Kuka, Vaso Pasha, Pjetër Marubi, Filip Shiroka, Kolë Idromeno, Palokë Kurti, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Millosh Gjergj Nikolla, Vojo Kushi, Jordan Misja, Vasil Shanto, Prenk Jakova, Branko Kadia, Marie Logoreci, Ndrek Shkjezi, Loro Boriçi, Lec Bushati, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Gjon Simoni, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Serafin Fanko, Tano Banushi, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Zef Çoba.

Personalitetet e përmendura kanë emrin dhe famën e tyre, secili në fushën e tij. Absolutisht, i respektoj dhe i vlerësoj për kontributet e tyre. (Nuk do merrem me asnjërin personalisht, se nuk më takon, edhe pse mund të kem rezervat e mia të argumentuara për ndonjërin prej tyre, sidomos nga ata që nuk jetojnë më, por nuk është ky objekti i këtyre shënimeve).

Ajo që dua të theksoj dhe të tërheq vëmendjen me të madhe është fakti se përse janë eliminuar krejtësisht personalitetet muslimane të Shkodrës, në fusha të ndryshme të jetës, intelektualë, dijetarë, pajtimtarë, shkrimtarë, drejtues të arsimit, politikës, njerëz të kulturës e artit, sportit e çdo sfere tjetër të jetës?! Kjo është Shkodër e cungët, e mangët, sakate, jo Shkodra ime!

Kjo më kujton bashkëbisedimin me njërin prej ambasadorëve të nderuar, me të cilin po flisnim rreth Shkodrës dhe veçorive të saj. Më tha: “I nderuar Myfti, fillimisht, kur kam ardhur në vendin tuaj, më thanë se Shkodra është qyteti i zonjës filani, një qytet me pakicë muslimane. Mirëpo, nga vizita në qytetin tuaj, po konstatoj se ky prezantim që i bëhet qytetit tuaj në rangjet diplomatike nuk është i saktë, madje tendencioz dhe krejtësisht i pasaktë!”, shkruan Sytari.

Më tej ai mbron idenë se muslimanët nuk kanë asnjë problem me besimin e tjetrit, pra me tjetrin ndryshe:

“Ne muslimanët, nuk kemi pasur ndonjëherë komplekse nga diversiteti fetar dhe as që kemi, sepse vlerat e harmonisë ndërfetare i kemi ndërtuar me pastërti dhe sinqeritet, si një shtyllë e rëndësishme e komunikimit kur’anor dhe e traditave të Hz. Muhammedit (a.s) në marrëdhëniet sociale!”

Në fund të mesazhi të tij, Myftiu Sytari i bën thirrje Komunitetit Musliman që të ndërhyjë pranë Ministrisë së Arsimit për ta hequr atë tekst nga qarkullimi, ose së paku për ta korrigjuar. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi