Mustafa Bajrami: Mos u besoni njerëzve vetëm pse thonë se janë besimtarë në Zotin, e as mos i nënvlerësoni të tjerët për shkak të bindjeve të tyre fetare!

Vlerësimi i figurave politike tek ne mbi baza fetare, mbi baza të besimit në Zot dhe të ngjashme, sa për mua, është vlerësim amatoresk dhe tepër sipërfaqësor. Është vlerësim që s’ia vlen, kështu është shprehur Dr. Mustafa Bajrami, teksa ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të atyre që po përdorin fenë për të manipuluar me njerëzit, si dhe ndaj atyre që gabimisht po e vlerësojnë elitën politike në bazë të (mos)besimit në Zot, apo përkatësisë së tyre fetare.

Sipas tij, besimi në Zot dhe feja duhet të jenë promotore për punë të mira, duhet të jenë gjeneratorë kreativiteti për suksese dhe për sjellje të pranueshme në shoqëri. Tek e fundit, thotë ai, besimi në Zot është çështje intime e individit, është raport i tij me ndërgjegjen dhe Zotin e tij, asgjë më shumë.

Më poshtë, lexojeni postimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook:

MOS I VLERËSONI GABUESHËM NJERËZIT TANË!

Vlerësimi i figurave politike tek ne mbi baza fetare, mbi baza të besimit në Zot dhe të ngjashme, sa për mua, është vlerësim amatoresk dhe tepër sipërfaqësor. Është vlerësim që s’ia vlen.

Nëse bash duhet të merren për bazë besimi në Zot apo përkatësia e dikujt fetare, atëherë le të shikohet në refleksionet dhe frymëzimin e besimit në Zot të individit në punët që i bënë, në kryerjen e obligimeve që i ka ndaj qytetarëve. Të shikohet a është bërë feja tek ai promotore dhe gjenerator për punë të bereqetshme. Të shikohet si e ka përkthyer fenë në gjuhën e së përditshmes dhe si e ka kuptuar esencën e saj. Përndryshe, besimi në Zot dhe feja mbeten ose çështje tejet personale e secilit njeri, ose mekanizëm perfekt për mashtrime e përfitime të ulëta.

Na thuani, sa ja vlen barra qeranë nëse një politikan apo udhëheqës i ndonjë institucioni është besimtar apo i takon kësaj apo asaj feje, por është i korruptuar deri në fyt, që i shfrytëzon e i ndrydhe ndjenjat e njerëzve, që nuk shikon përtej hundës së tij, që interesin e tij e ka parësorë, që mashtron dhe përfiton nga votat tona, dhe, si do ta vlerësonit tjetrin, që ndoshta nuk është besimtar, që nuk takon fesë suaj, por e kryen punën me përgjegjësinë më të madhe? Dhe anasjelltas.

Prandaj, mendoj unë, me gjithë rëndësinë e madhe që ka feja në edukimin dhe fisnikërimin e shpirtit të njeriut, nga andej, në bërjen e njeriut sa më i dobishëm për rrethin dhe shoqërinë, apo, me gjithë faktin se fjala e një lideri kur flet për fenë dhe gjëra të tjera sublime, është e madhe, me peshë dhe ka ndikim në shoqëri, pra, që duhet të kihet kujdes e të mos flitet paushall sa të ngacmohen keqazi ndjenjat e qytetarëve, bindshëm besoj, pra, se ajo që një lider politik e bënë të pranueshëm dhe të respektuar nga masat, nuk është përkatësia e tij fetare e deri diku as ideologjike, por është pikërisht vizioni i tij për të ardhmen e vendit, është puna dhe përpjekja e tij për t’i sjellë të mira shoqërisë në të cilën jetojmë…!/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi