Mushkolaj: Postimi i Thaçit për borën i “pa takt”, qëllimi i tij është të ushtrojë presion mbi Haradinajn

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mbrëmjen e së dieles, ka befasuar të gjithë me një postim të “çuditshëm” në Facebook. “Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, thuhej në postimin e Thaçit, për të cilin fillimisht është menduar se është bërë si rezultat i hakimit të llogarisë së presidentit.

Mirëpo, e vërteta doli të jetë krejt tjetër.

Thaçi përmes këtij statusi në Facebook i dërgoi porosi të tërthortë kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë, si përgjigje ndaj presionit për heqjen e taksës, ishte deklaruar se edhe ‘bora shkrihet dikur’.

Postimin e Thaçit, analisti Imer Mushkolaj, e cilëson si ‘postim pa takt’ dhe jo në nivel të një presidenti.

“Ai postimi për borën dhe skllotën, më e pakta që mund të them është se, ishte një postim totalisht pa takt edhe ishte një postim që nuk i takon nivelit të një presidenti të një shteti, në këtë rast, as presidentit Thaçi”, tha Mushkolaj.

Pak orë më vonë, kreu i shtetit, në Facebook postoi edhe një status tjetër. Këtë radhë, ai nuk parashikoi shkrirjen e borës, por vendime në interes të Kosovës.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore”, thuhej ndër të tjera në postimin e Thaçit.

Mushkolaj këtë postim e sheh si presion të presidenti ndaj qeverisë Haradinaj për heqjen e taksës.
Sipas tij, moskordinimi i Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit për cështje si ajo e taksës dhe dialogut, është për keqardhje.

“Sa i përket vendimeve të rëndësishme, unë e kuptova atë postim si një presion ndaj heqjes së taksës ose pezullimit të taksës. Kështu që, ai postim, por edhe reagimet që erdhën nga njerëzt e partisë së kryeministrit, vetëm na tregojnë se sa të paorganizuar dhe të paunifikuar në fakt janë institucionet e vendit karshi çështjeve të rëndësishme siç është taksa në këtë rast dhe dialogu me Serbinë. Në vend që Presidenca, Qeveria edhe Kuvendi të flasin në një zë karshi këtyre temave, ne kemi një situatë ku, këta njerëz i përdorin situatat shumë të ndjeshme, e që nuk iu dihet epilogu, vetëm për të përfituar poena politikë e kjo është për keqardhje”, deklaroi Mushkolaj.

Se mungon një koordinim mes institucioneve, sot e pranoi edhe kryeministri Haradinaj. Ai tha se me presidentin ka kohë që nuk ka komunikuar as nuk ka pasur takim dypalësh.

“Ne kemi kohë që nuk jemi takuar, nuk po e di për çka ka aluduar presidenti”, tha kreu i ekzekutivit për postimin e Thaçit./KosovaPost

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi