Mohamed Salah para duelit të Ligës së Kampionëve: E dua Romën

Futbollisti egjiptian, Mohammed Salah, në sezonin e parë do të ketë mundësinë që me fanellën e Liverpool të përballet me Romën, klubin nga i cili erdhi tek ekipi anglez.

“Ky është klubi im i vjetër. I dua tifozët e Romës dhe ata më duan. Unë jam ende në kontakt me shumë lojtarë. Ne ishim shumë të afërt dhe miq të mirë. Natyrisht, kam kujtime të mira nga Roma. Ne luajtëm së bashku për dy vite dhe luftuam në çdo lojë. Në dhomën e zhveshjes kishim argëtim të mirë. Më së shumti gëzohem se do të takohem me Francesco Totti. Ai është i mahnitshëm, i ka të gjitha. E dua atë. Kam marrëdhënie të mira me të, ai është një njeri shumë i mirë”, ka thënë Salah.

Ndeshja e parë e gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve, Liverpool-Roma, do të luhet më 24 prill në Anfield Road dhe më 2 maj do të luhet ndeshja e kthimit në Olimpico të Romës.

Salah po përjeton sezonin e parë të mrekullueshëm në Liverpool. Ai shënoi madje 39 gola dhe së fundi është shpallur lojtari i muajit mars në Premier Ligën angleze. Ai është golashënuesi që kryeson elitën angleze me 29 gola.

Lojtari i kombëtares egjiptiane verën e kaluar arriti në Liverpool nga Roma për një kompensim prej 42 milionë eurosh, e cila mund të rritet deri në 50 milionë me bonuse. Në karrierën e tij, ai luajti për El Mokwaloon, Basel, Chelsea dhe Fiorentina. Në ekipin kombëtar të Egjiptit ai ka luajtur 57 ndeshje dhe ka shënuar 33 gola./Rtv Drita/