Mogherini-Hahn: BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë

Përfaqësuesja e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, dhe komisioneri europian për Zgjerim, Johanes Hahn, kanë shprehur mbështetje për referendumin e mbajtur dje në Maqedoni për ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, duke thënë se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë, institucionet dhe qytetarët e saj.

“Në një votim paqësor dhe demokratik, shumica dërrmuese e atyre që ushtruan të drejtën e tyre të votës, i thanë ‘po’ Marrëveshjen së Prespës për çështjen e emrit dhe rrugën e tyre europiane”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga Mogherini dhe Hahn.

Në deklaratë theksohet se parlamenti tani do të ftohet të vazhdojë me hapat e ardhshëm për zbatimin e marrëveshjes së emrit, duke vendosur për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Kjo është një mundësi historike jo vetëm për pajtimin në rajon, por edhe për ta çuar vendosmërisht përpara vendin në rrugën e Bashkimit Europian. Është koha që të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të veprojnë brenda përgjegjësive të tyre kushtetuese përtej linjave të partive politike. Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë plotësisht dhe të shoqërojë vendin, institucionet e saj dhe të gjithë qytetarët e saj”, janë shprehur përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe komisioneri Hahn.

Ndryshe, referendumi i djeshëm rezultoi me pjesëmarrje të ulët prej 36,91 për qind, prej të cilëve 91,46 për qind votuan “për”.

Referendumi u mbajt pas Marrëveshjes së qershorit midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parashikon ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut si kusht kryesor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi