“Mister” seanca për Besnik Camin, KPK cakton datën për Shpëtim Kurtin

Pa llogaritur të gjithë ata që dhanë dorëheqjen menjëherë sapo hyri në fuqi procesi i Vettingut, që prej muajit mars i janë nënshtruar procesit të hetimit administrativ të trefishtë, 60 gjyqtarë dhe prokurorë, prej të cilëve 33 janë konfirmuar në detyrë dhe 27 të tjerë janë shkarkuar.

Por, pavarësisht shifrave, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është ende larg mbylljes së llogarive për të gjithë ata që konkurruan për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjykatës.

Një zvarritje e tillë po sjell gjithashtu tejkalim të afateve për “krijesat e reja” të Reformës në Drejtësi, Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe GJKKO, institucionet e hekurta që do të hetojnë e gjykojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.

Në fakt nëse do të respektohej ligji, SPAK dhe GjKKO duhet të kishin nisur punë vjeshtën e kaluar. Krijimi i tyre është ende larg, përderisa prokurorët e posaçëm emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe gjyqtarët nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që të dyja ende të papërfunduara, përsa kohë komisionerët e Vettingut nuk kanë përfunduar kontrollin edhe për 3 pretendentë.

Konkretisht të paskanuar për në KLP mbeten prokurorët: Shpëtim Kurti dhe Besnik Cami. Për Kurtin KPK ka përcaktuar 22 nëntorin, si datën kur do të zhvillohet seanca dëgjimore, ndërkohë që për prokurorin Besnik Cami, ende nuk ka një datë se kur do të nisë procesi.

Siç bëhet me dije, relatimi për dy kandidatët po shqyrtohet nga Lulzim Hamitaj, që prej dhjetorit 2017.

E gjitha kjo vonesë pritet të provokojë pakënaqësi edhe tek ndërkombëtarët. KLP do ketë 11 anëtarë, por vetëm gjashtë prej tyre do të jenë pjesë e prokurorisë.

Njëkohësisht ngelet i pa kontrolluar edhe një anëtar për në organin tjetër, KLGJ, Luan Dervishi, për të cilin është caktuar data 23 nëntor për të zhvilluar seancën dëgjimore. Emri i gjyqtarit të Shkodrës hyri në listën për KLGJ së bashku me Brikena Ukperajn, një muaj nga kriza e shkaktuar nga shkarkimet, dhe gjatë të cilës ish ambasadori amerikan Donald Lu i ftoi gjyqtarët të garonin dhe mos kishin frikë nga Vettingu.

Nga 14 gjyqtarë pretendentë për në Këshillin Gjyqësor, janë konfirmuar në detyrë 10 prej tyre. Pa kryer asnjë funksion, po i mbyllet mandati një vjeçar edhe KED-së së radhës, të cilës iu shkarkuan nga Vettingu shumica e anëtarëve, duke humbur në këtë mënyrë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje.

Deri sa të nisë përzgjedhja për anëtarët e KED-së së tretë, gjë që do të ndodhë në dhjetor, mbetet për t’u parë kush do ta hedhë këtë herë shortin, presidenca apo Kuvendi?/Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi