Misioni i OSBE-së i dhuron Policisë së Kosovës mjete të specializuara të ndihmës së parë

Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka dhuruar sot 30 çanta me mjete të specializuara të ndihmës së parë njësisë për operacione speciale dhe njësisë për reagim të shpejtë të Policisë së Kosovës.

Sipas kësaj organizate, çantat përmbajnë mjete të cilësisë së lartë dhe do të shfrytëzohen nga njësitë për t’iu dhënë ndihmën e parë policëve të lënduar në detyrë. Njësitë speciale dhe ato të reagimit të shpejtë janë të ekspozuara ndaj rrezikut meqë ofrojnë siguri dhe mbajnë rendin publik gjatë protestave apo ngjarjeve të tjera me potencial dhune.

“Puna e policisë është e vështirë, dhe herë pas here edhe e rrezikshme, prandaj është shumë e rëndësishme që ata që i ekspozohen një rreziku të tillë ta dinë që e kanë përkrahjen dhe mjetet e nevojshme për ta kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Ambasadori Jan Braathu,

Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit. “Vërtet shpresoj që nuk do t’iu duhet t’i përdorni, por nëse është e nevojshme atëherë do të keni mjete të mira dhe cilësore. Kolegët tuaj kanë qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së mjeteve në këto çanta; përzgjedhja vërtetë ka qenë një angazhim i përbashkët.”

Nënkolonel Neshat Flugaj, Drejtor i Divizionit të Njësive Speciale të Policisë, tha: “Ky donacion është një hap para në drejtim të përmirësimit të sigurisë së policëve tanë dhe të gjithë atyre që mund të kenë nevojë për ndihmë të parë.”

Misioni i OSBE-së dhuroi edhe 2,000 karta informative të sigurisë, të cilat mund t’iu shpërndahen gazetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organeve mbikëqyrëse të policisë të pranishëm në tubime publike. Karta është përgatitur bashkërisht me Policinë e Kosovë dhe përmban udhëzime se si duhet të veprohet për të shmangur incidente e mundshme gjatë tubimeve publike./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi