Miratohet lista e ilaçeve me rimbursim, por nuk zbardhet. Ende diskutime për kostot

Lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2018 pritet të hyjë në fuqi në 1 maj. Kjo listë mori miratimin e qeverisë një ditë më parë, kur kryeministri Edi Rama deklaroi se janë shtuar 36 barna të reja, ku në fakt vetëm 16 prej tyre janë principe aktive dhe 20 të tjerat janë alternativa, por gjithsesi janë barna të reja që shtohen me rimbursim për pacientët.

Burime të Top Channel thonë se këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, nuk është marrë mendimi i shefave të shërbimit në QSUT për barnat që duheshin shtuar, kur në fakt janë ata që përcaktojnë se cilat barna janë më efektive për kurimin e sëmundjeve të caktuara dhe përdorim më të shpeshtë.

Për dy vite me radhë ka funksionuar lista e rimbursimit të barnave e vitit 2016, e cila ka shkaktuar kosto të kotë financiare për qeverinë për shkak të uljes së çmimit të euros në tregun shqiptar, fitim ky që ka shkuar neto në xhepa të kompanive farmaceutike.

Por, sa është kosto financiare e listës së re të barnave të rimbursueshme të vitit 2018 nuk është publikuar ende. Ky vendim i rëndësishëm nuk është zbardhur as në faqen e Kryeministrisë, ku janë publikuar vendime të tjera që u morën një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë që u zhvillua në Fier. Burime të Top Channel thonë se ka pasur shumë kontestime nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj në lidhje me çmimet e disa barnave që janë përfshirë në rimbursim për vitin 2018.

Por, e rëndësishme është futja për herë të parë e herceptinës në listën e barnave me rimbursim, duke ndryshuar dhe formëdozën e saj. Tanimë, gratë me kancer gjiri që trajtohen me herceptinë do të mund ta marrin atë me shiringë edhe në spitale të tjera të vendit, pa u dashur të marrin rrugën për në QSUT në Tiranë. Kjo formë doze e herceptinës shkurton edhe kohën e trajtimit për to. Nga 4 orë që duhej të qëndronte pacientja në spital, tanimë ajo merret për 20-30 minuta./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi