Ministria e Arsimit paralajmëron masa nëse SBASHK-u nuk i kompenson orët e humbura

Nga 14 janari, të gjitha institucionet e arsimit të mesëm dhe fillor, me vendim të SBASHK-ut kanë hyrë në grevë.

Kërkesat e sindikalistëve lidhen me rritjen e koeficienteve për mësimdhënësit që rrjedhimisht nënkupton edhe rritjen e pagave për 30 për qind.

E që nga fillimi i grevës deri më sot, janë humbur shumë orë mësimore.

Kryeministri Haradinaj, gjatë ditës së sotme  paralajmëroi SBASHK-un se çdo orë mësimore do të zëvendësohet.

Haradinaj paralajmëron SBASHK-un: Asnjë orë e mësimit nuk do të kalojë pa u kompensuar

Mirëpo, burime brenda SBASHK-ut  i kanë thënë lajmi.net, se kjo sindikatë nuk e konsideron si të obligueshme t’i kompensojë këto orë të humbura.

Ky burim ka thënë se kjo është pajtueshmëri e strukturave të sindikatës.

“Nga brenda ka pasur pajtueshmëri që nuk është e obligueshme që këto orë të plotësohen. Megjithatë mësimdhënësit besojmë që nuk do t’i mbeten borxh nxënësve”, ka thënë ky burim.

Mirëpo, nga ministria e Arsimit, po thonë se janë evidentuar të gjitha orët e humbura dhe se për këtë, Drejtoritë e Arsimit do të obligohen që t’i kompensojnë.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tha sot për lajmi.net se orët do të zëvendësohen me patjetër.

Siç thotë ai, Kosova nuk e ka ‘luksin’ që të humbë me javë orët mësimore.

“MASHT-i ka kërkuar dhe vazhdon të insistojë në ndërprerjen e menjëhershme të grevës  dhe rifillimin e procesit mësimor. Sa i përket orëve të humbura, ne jo vetëm insistojmë por do t’i obligojmë DKA-të dhe drejtorët e shkollave që të mbikëqyrin procesin për orët e humbura dhe këto orë do të zëvendësohen me patjetër”, ka thënë Geci për lajmi.net.“Ne nuk e kemi luksin që brenda sistemit arsimor të humbim javë të tëra të procesit mësimor. Sigurisht që ekzistojnë mekanizma të evidentimit të orëve të humbura dhe rrjedhimisht ato do të zëvendësohen”, ka shtuar ai.

Geci thotë se zëvendësimi i orëve të humbura shkaku i grevës nuk sjell produktivitetin e njëjtë me atë të një procesi të rregullt mësimor, mirëpo se sipas tij ky është një proces që duhet të kryhet me patjetër.

Greva e SBASHK-ut nga shumëkush është cilësuar më shumë si grevë politike.

Gjatë javës së kaluar, kryeministri Haradinaj u kishte paraqitur ofertën e tij sindikalistëve, mirëpo këta të fundit e kishin refuzuar me pretekstin se ajo nuk është as afër kërkesave të tyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi