Ministri Reçica thirrje të punësuarve: Lajmëroni pasiguritë në vendet e punës

Anëtarët e Komisionit në të cilin po raportonte ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, janë ndjerë të shqetësuar me rastet e fundit të pasigurisë në vendin e punës.

Ata theksuan se për rastet që janë duke ndodhur kohëve të fundit nga humbjet e jetës në vendin e punës, duhet të ketë përgjegjësi nga ministria për siguri në vend.

Besa Baftiu nga PSD ka thënë se nuk ka zbatim të ligjit, derisa ka kërkuar nga ministri që të fillojë së zbatuari.

“Kemi ligje të mira por nuk po zbatohen në praktikë, sa jeni të kënaqur me zbatimin e ligjit për kategorizimin dhe çfarë keni bërë në këtë drejtim? Është evidente edhe sa i përket ligjit për siguri dhe shëndet në punë, pasi askush nuk i gëzohet një fatkeqësie, mirëpo ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e ligjit”, tha Baftiu.

Reçica ka theksuar se nuk mund të ketë inspektim në çdo kompani e sidomos në gjendjen aktuale, por ne duhet të krijojmë vetëdijesim tek të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit që të kemi siguri në vendin e punës.

“Ligji i ri i punës avancon të drejtat e punëtorëve dhe hap rrugë sa më të lehtë në zbatimin e tij në praktikë. Me ligjin aktual shpesh herë hapim paqartësi, por bëjë thirrje për punëdhënësit qe të zbatojnë kriterët në punë, këto kanë qenë minimale, dhe janë shënuar incidente, por është e pamundur që me kapacitet aktuale të kemi inspektorë kudo. Nëse ne nuk arrijmë të vetëdisohemi atëherë ne nuk kemi arritur të krijojmë një situatë të sigurisë dhe shëndetit në punë. Akoma nuk kemi marrë raport nga humbja e jetës së të riut në Therandë, por se shpejti do të bëjmë sa më shume inspektim, por nuk mund të kryjet punë me inspektim por me vetëdisim”, ka thënë Reçica derisa ka bërë thirrje që punëtorët të cilët nuk janë të sigurt në vendin e punës të lajmërohen tek ministria.

“Rastet kur punëtorët nuk janë të sigurt në vendin e punës të lajmërohen tek ne dhe ne do t’i ofrojmë mbështetje”, tha ai.

E për ndarje të buxhetit për fatkeqësitë në vendin e punës, Ministri Reçica ka thënë se kompetencat janë të kryeministrit, por mundësit nuk do të mungojnë as nga ministria.

“Në rastet kur familjet mund të kenë fatkeqësi, qoftë në humbje në vendin e punës, qoftë nga natyra ne kemi një kompensim që na lejohet. Mirëpo sa i përket të riut nga Suharekë jemi në pritje, mundësit nuk do të mungojnë, kjo është edhe në kompetenca të kryeministrit”, tha ministri Reçica.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi