Ministri Majko mbjell në Tiranë pemët e Diasporës

 

 

Diaspora është e para që i është përgjigjur thirrjes për të mbjellë pemë në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, mbollën 100 fidanë në njësinë nr. 5.

 “Kjo është mënyra më e mirë për të nisur pranverën në Njësinë 5. Mbaj mend sfidat e fillimit: s’kishte mbaruar Rruga e “Kosovarëve”, sa kishte filluar Parku Olimpik, infrastruktura qoftë edhe këtu në lagjen “Shushica” apo te stadiumi ‘Dinamo’ linte për të dëshiruar. Sot jemi në një fazë krejt tjetër. Teksa po mbaron rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, që stabilizon trafikun për gjithë njësinë, jemi duke shtuar pemët dhe gjelbërimin në të gjitha lulishtet e njësisë”, u shpreh Veliaj.

Ministri i Shtetit për Diasporën dhe njëkohësisht deputeti i PS, Pandeli Majko e cilësoi dhurimin dhe mbjelljen e pemëve për qytetin si një nga nismat më qytetare që ka trokitur në dyert e Tiranës. Ai theksoi se në kryeqytet po krijohet një kulturë e re, që po përqafohet nga qytetarët.

“Në fillim të viteve ’90, njerëzit i prisnin pemët rrugëve edhe për revoltë ndaj të ashtuquajturit rregull; ishte diçka shumë dëshpëruese. Por, është interesante që njerëzit po kthehen në një kulturë tjetër, jo të prerjes së pemëve, por të mbjelljes së pemëve. Mendoj se nisma është e jashtëzakonshme, pavarësisht se ka pasur si zakonisht cinikë në fillim”, deklaroi Majko.

Nisma e Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në kryeqytet nuk është vetëm një fushatë lokale, por asaj i janë bashkuar edhe qindra bashkatdhetarë nga diaspora, duke dhënë një kontribut të çmuar në dhurimin e pemëve.

Falë angazhimit të shumë qytetarëve, qindra bizneseve e donatorëve që iu bashkuan këtij aksioni, numri i pemëve të mbjella deri më tani ka shkuar në mbi 108 mijë. Për shkak të numrit të lartë të qytetarëve dhe të kompanive që janë regjistruar në listë pritje për të dhuruar pemë, aksioni për mbjelljen do të vijojë deri më 22 prill. Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme që ndikon direkt në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi