Ministri izraelit mbështet ushtarët që vranë palestinezin e paarmatosur

Ministri izraelit i Arsimit, Naftali Bennett kritikoi stuhinë e reagimeve negative pas shfaqjes së një videoje që tregonte ushtarët izraelitë duke vrarë një të ri të paarmatosur palestinez.

Bennett tha në median sociale se ai mbështet veprimet e ushtarëve të shfaqur në video.

“Ushtarët izraelitë po mbrojnë jetët tona. Dhe ne po i mbrojmë ata. Ne nuk do t’i dëshpërojmë”, tha Bennet.

Ndërkaq, duke folur në një radio lokale, ministri pyeti: “A do të gjykojmë mënyrën e të folurit të ushtarëve tanë dhe nëse kjo tingëllon mirë apo jo?”.

Pamjet u publikuan të hënën nga Breaking the Silence, një OJQ izraelite për të drejtat e njeriut. Në të mund të shihet një snajper izraelit duke qëlluar një palestinez të paarmatosur pranë gardhit kufitar.

Në fillim të videos, një komandant izraelit mund të dëgjohet duke thënë: “Kur ai të ndalet, ju e rrëzoni”. Teksa snajperi përgjigjet në mënyrë afirmative, komandanti i thotë: “Bëje”.

Çaste më vonë, i riu palestinez në shënjestër shihet duke rënë në tokë, ku ai mbetet pa lëvizur.

Ende mbetet e paqartë se kur dhe ku pikërisht janë xhiruar pamjet dhe shkalla e dëmtimeve të palestinezëve të shënjestruar. Por, incidenti besohet të ketë ndodhur gjatë demonstratave masive që që vazhdojnë në kufi gjatë dhjetë ditëve të fundit.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite thotë se pamjet datojnë disa muaj më parë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 31 palestinezë kanë rënë dëshmorë nga sulmet e ushtrisë izraelite që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan të tubohen përgjatë kufirit lindor të Rripit të Gazës me Izraelin.

Tubimet janë pjesë e një demonstrate gjashtë javore që do të kulmojë më 15 maj. Kjo ditë do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofa”.

Demonstruesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugën krijimit të shtetit të ri të Izraelit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi