Mianmari do të dërgojë delegacion në kampet e refugjatëve të Arakanit

Mianmari ka njoftuar se do të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë që të shpjegojë procesin e rikthimit në kampet ku ndodhen qindra mijëra refugjatë të Arakanit të strehuar në Bangladesh.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Mianmarit në Kombet e Bashkuara, Hau Do Suan, informoi komunitetin ndërkombëtar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për procesin e rikthimit të refugjatëve të Arakanit, të cilët janë detyruar të strehohen në Bangladesh.

Pasi ka theksuar se janë të gatshëm të ripranojnë refugjatët e zhvendosur dhe ata që janë konfirmuar se janë nga rajoni i Arakanit, Hau tha se deri më tani, 30 mijë e 464 njerëz kanë kërkuar kthimin, nga të cilët 13 mijë e 235 prej tyre janë identifikuar si banorë të Arakanit dhe se ata mund të kthehen në Arakan kur të dëshirojnë.

“Mianmari do të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Cox‘s Bazar për të shpjeguar rregulloret e bëra për rikthimin e personave të zhvendosur”, tha ndër të tjera Hau.

“Do të bien kambanat e rrezikut nëse nuk kalohet në veprim sa më parë”

Ndërsa përfaqësuesja speciale e OKB-së për Mianmarin, Christine Schraner Burgener, ka tërhequr vëmendjen se zgjidhja e krizës së Arakanit dhe procesi për rikthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre po ecën ngadalë, dhe ka paralajmëruar se “do të bien kambanat e rrezikut” nëse nuk kalohet në veprim sa më parë.

Duke iu referuar edhe vështirësive në terren dhe se ushtria në Mianmar vazhdon të jetë me ndikim në politikë, Burgener tha se trazirat e mëdha në vend e bëjnë krizën e Arakanit të vështirë për t’u zgjidhur.

Burgener vuri në dukje se më shumë se 30.000 muslimanë të Arakanit dhe budistë janë zhvendosur gjatë konflikteve mes ushtrisë së Mianmarit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Arakanit e përbërë nga budistët. Ajo shtoi se konfliktet ndikojnë përpjekjet për të siguruar kthimin e ndershëm dhe të sigurtë të refugjatëve të Arakanit në shtëpitë e tyre.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Në vitin 2012 në Arakan u shfaqën konflikte mes budistëve dhe muslimanëve, ku si pasojë e ngjarjeve mijëra persona, nga të cilët shumica muslimanë, u masakruan dhe qindra shtëpi dhe biznese u dogjën.

Ushtria e Mianmarit dhe nacionalistët budistë filluan dhunën masive duke treguar si arsyetim sulmet e njëkohshme më 25 gusht 2017 në stacionet kufitare në Arakan.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 745 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi