Meta dhe Rama po “luajnë” në mungesë të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh këtë të martë në një seancë jashtë radhe, për të miratuar formalisht shkarkimin e Fatmir Xhafajt si ministër të Punëve të Brendshme. Por, kryeministri Rama, përmes një fjalimi parashtroi edhe qëndrimin e qeverisë dhe mazhorancës në raport me vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të mos dekretuar si ministër të Brendshëm Sandër Lleshin. Rama foli si në aspektin politik, ashtu dhe në aspektin kushtetues për këtë çështje, për të cilën ishte ftuar në studion e “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, juristi dhe konstitucionalisti Jordan Daci.

Tashmë që refuzimi i Metës për të dekretuar në postin e ministrit të Brendshëm zotin Sandër Lleshi është bërë fakt, kryeministri Rama bëri të njohur nga foltorja e Kuvendit edhe përgjigjen e presidentit, ku thuhej se “sipas Kushtetutës, presidenti kishte krijuar bindjen se Lleshi nuk mund të ishte ministër i Punëve të Brendshme”, ndërkohë që vet Rama tha mungonte një arsye kushtetuese.

Vlerësimin e qëndrimit të presidentit, zoti Jordan Daci e bëri nisur nga pikëpamja formale kushtetuese, duke lënë mënjanë emrat e përveçëm.

“Presidenti i Republikës është garant i Kushtetutës dhe është institucioni i emërtesës për ministra. Pra, ministri propozohet nga kryeministri, por emërohet me dekret nga presidenti. Fjalia ‘e drejta e presidentit për të emëruar me dekret’ nuk nënkupton detyrimin për ta miratuar se s’bën. Këtu ka dy qëndrime, i pari që thotë se presidenti është thjesht noter formal, por që nuk mund të jetë e pranueshme, e i dyti që thotë se presidenti ka të drejtë të verifikojë plotësimin e kritereve kushtetuese, qoftë edhe mungesën e kritereve ndaluese për një kandidat të caktuar. Kësisoj, presidenti ka të drejtë kushtetuese për të refuzuar, madje edhe një kryeministër në një rast ekstrem”, tha Daci.

Në rastin konkret, kur presidenti nuk ka dhënë arsyet e mosdekretimit, Daci shprehet se akti i presidentit është diskrecionar.

“Qëndrimi që ai mban është edhe arsye, jo domosdoshmërisht duhet të japë arsye të detajuara. Mund të ketë edhe raste kur edhe po të ketë arsye nuk mund t’i japë publikisht. Jemi përpara një rasti kur kandidati gëzon statusin e Gjeneralit (të Brigadës). Neni 168 i Kushtetutës e ka të ndaluar që ushtarakët të ushtrojnë funksione politike e të tjera. Besoj se, që Lleshi të bëhej formalisht ministër duhej të jepte dorëheqjen nga funksionet ushtarake, sepse me të vërtetë dekreti i presidentit Nishani e ka liruar nga ushtria, por me vendim gjyqësor është shfuqizuar dekreti i asaj kohe. E teksa gëzon statusin e Gjeneralit, ai paguhet derisa t’i njihet e drejta e kthimit në detyrë”, vijoi më tej Daci.

Edhe pse sipas tij, gjykimi i përgjithshëm është se aktet e kreut të shtetit nuk kanë nevojë për arsyetim, gjithsesi ai shprehet se në kushte normale për një demokraci, presidenti do të ishte mirë të kishte dhënë disa arsye.

Ndërkohë që precedentët e mëparshëm kanë treguar se presidentët kanë dhënë shpjegime, Daci thotë se ka edhe një qëndrim se presidenti nuk është i detyruar të japë arsye, pasi është një akt sovran i vet kryetarit të shtetit. “Unë dua të theksoj vetëm diçka: nëse presidenti ka vlerësim të karakterit politik, atëherë kjo nuk i takon presidentit. Këtë e ka vetëm kryeministri”, deklaroi ai.

Në vazhdim të arsyetimit të tij, Jordan Daci tha se gjëja më e mirë që duhej të ndodhte, do të ishte të kishte konsulta mes kryeministrit dhe presidentit, e kreu i qeverisë të propozonte një emër tjetër për të qenë në përputhje të plotë me procedurat kushtetuese.

Kësaj situate politike i rëndon edhe fakti i situatës absurde me drejtësinë, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të jepte vendimin e saj për të eliminuar gjithçka tjetër që po vijon edhe sot që prej refuzimit. Sipas Dacit, të dyja palët po përpiqen të përfitojnë nga kjo, megjithëse zgjidhja përmes emërimit si zv.ministër nuk e zgjidh ngërçin kushtetues dhe institucional me të cilin do të përballet Ministria e Brendshme, për arsye se ky i emëruar nuk mund t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e një ministri të Brendshëm.

“Rezerva kushtetuese i ngarkon ministrit dhe vetëm ministrit disa kompetenca të caktuara. Asnjë zëvendës, qoftë me autorizim apo delegim nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Për më tepër që delegimi i kompetencave nënkupton një periudhë krejtësisht kalimtare, të kufizuar në kohë dhe në veprime”, tha Daci.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, kryeministri tha nga foltorja e Kuvendit se do ta presë edhe disa ditë Presidentin e Republikës për të reflektuar nëse do ta rishikojë qëndrimin e tij mbi zotin Lleshi ministër të Brendshëm. Por, nisur nga afati kushtetues prej 7 ditësh për të shqyrtuar kandidaturën, këtu lind pyetja: a është sërish e vlefshme kjo kandidaturë nga pikëpamja kushtetuese për t’u rishqyrtuar nga Presidenti i Republikës?

“Një kandidaturë që nuk është miratuar brenda 7 ditëve nuk mund të jetë më kandidaturë e ardhshme”, deklaroi zoti Daci, i cili tha se ai ka marrë tashmë një dekret refuzimi, ndaj dhe duhet një propozim i ri.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja, nëse e reklamon Presidentin e Republikës nga pikëpamja juridike, ligjore e kushtetuese një vendim apo një akt i paarsyetuar, sikurse deri më tani, ndaj një precedenti për shkelje të Kushtetutës dhe shkarkim nga mazhoranca, Jordan Daci u përgjigj:

“Mundësitë për të shkaktuar Presidentin e Republikës, aq më pak këtë aktualin, janë zero. E para, që shkelja kushtetuese të ekzistojë do të duhet të vërtetohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm ajo mund të thotë nëse presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Kjo situatë është mburojë për presidentin, sikurse edhe për qeverinë për shumë probleme të tjera, për të cilat do të përballej në Kushtetuesen. Boshllëku po shfrytëzohet nga të dyja palët. Kjo është një lojë shahu, siç e tha kryeministri, por është pa arbitër, sepse s’kemi Gjykatë Kushtetuese”, përfundoi Daci./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi