Merkel: Turqia e qëndrueshme në interes të Gjermanisë

Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin e Gjermanisë, tha Ulrike Demmer, zëdhënësja e kancelares Angela Merkel.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference të rregullt për media në Berlin, zv/zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer nuk konfirmoi ose mohoi lajmet e fundit të medias që pretendonin se Gjermania mund të ndihmojë Turqinë për të parandaluar një krizë financiare.

“Qeveria federale është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Turqi. Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin tonë”, tha Demmer.

Disa media elektronike evropiane njoftuan të martën se Gjermania është duke shqyrtuar mënyrat për të ndihmuar Turqinë dhe pohuan se opsionet përfshinin një ndihmë të koordinuar evropiane, ndihmë bilaterale ose kredi specifike për projekte nga bankat zhvillimore të kontrolluara nga shteti.

Javën e kaluar, zëdhënësja e qeverisë gjermane tha se Berlini nuk është duke planifikuar ndihmë financiare bilaterale për momentin.

Zv/zëdhënësja e qeverisë nuk pranoi të komentonte në mënyrë të detajuar nëse qeveria ka ndryshuar qëndrimin e saj, por tha se nuk ka ndonjë përditësim në lidhje me këtë çështje.

Demmer tha gjithashtu se duhet të pritet realizimi i bisedimeve të ardhshme të nivelit të lartë midis qeverive gjermane dhe turke.

“Siç e dini, përgatitjet po vazhdojnë. Para vizitës së presidentit Erdoğan, ministri i Financave do të takohet me homologun e tij këtu”, tha Demmer, duke shtuar se nuk mund t’i parashikojë bisedimet.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të realizojë një vizitë kyçe në Gjermani më 28-29 shtator.

Para vizitës, ministri turk i Financave, Berat Albayrak, pritet të takojë homologun e tij gjerman, Olaf Scholz, në Berlin më 21 shtator.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjithashtu është planifikuar të vizitojë Turqinë javën e ardhshme për bisedime mbi raportet ekonomike dhe politike dhe çështjet ndërkombëtare.

Të martën, Maas kritikoi sanksionet e presidentit amerikan Donald Trump dhe politikën e tij të presionit ekonomik ndaj Turqisë.

“Sigurisht, ne evropianët kemi një interes të madh nga një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik në Turqi”, tha ai.

Gjermania është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Turqisë dhe më shumë se 7.500 kompani gjermane janë aktive në Turqi. Në vitin 2017, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 37.6 miliardë euro./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi