Meghan gatuan për “Grenfell”: mbështet nismën e grave muslimane

Në projektin e saj të parë personal si anëtare e familjes mbretërore, dukesha e Suseksit, Meghan Markle ka vendosur të mbështesë një libër recetash gatimi për bamirësi, me receta të grave, familjet e të cilave janë prekur nga zjarri në kullën Grenfell.

Në janar të vitit 2018, ndërsa po vendosej në shtëpinë e saj të re në Londër, amerikania që u martua me princin Harry, u takua me një grup grash të cilat mblidheshin për të gatuar dy herë në javë në një kuzhinë të përbashkët në qendrën e trashëgimisë kulturore muslimane “Al Manaar”.

“U ndjeva menjëherë e lidhur me këtë kuzhinë komunitare, është një vend për gratë ku ato mund të qeshin, të mbajnë zi, të qajnë dhe të gatuajnë së bashku”, thotë Markle e cila vijoi t’i vizitonte ato rregullisht në mënyrë private.

Ajo mbështeti projektin e librit të recetave si një mënyrë për të garantuar që kuzhina të operonte më rregullisht dhe me shpresën që përfitimet prej shitjes së librit të ndihmonin në mbajtjen hapur të kuzhinës shtatë ditë në javë.

Fillimisht, kuzhina ishte një vend për gratë që ato të gatuanin ushqim të freskët për familjet dhe fqinjët e tyre që jetojnë në dhoma hoteli pas zjarrit, mirëpo më shumë se një vit më pas, ajo u shndërrua në një rrjet mbështetjeje. Gratë që mblidhen atje e quajnë atë Komuniteti i kuzhinës Hubb – në arabisht “hubb” do të thotë dashuri.

Mbështetur nga fondacioni mbretëror, “Së bashku: libri i recetave të komunitetit”, paraqet 50 receta nga e gjithë Europa, Lindja e Mesme, Afrika e Veriut dhe Mesdheu Lindor, dhe shënon “fuqinë e të gatuarit për të bashkuar komunitetet”.

“Shkrija e identiteteve kulturore nën një çati të përbashkët, krijon një hapësirë për të pasur një ndjesi normaliteti – në formën e saj më të zakonsme, nevojën universale për t’u lidhur, për përkujdesje dhe bashkëpunim përmes ushqimit, mes krizave apo gëzimit, diçka ku ne mund të mbështetemi të gjithë”, thotë dukesha Markle.

Dukesha, e cila edhe vetë ka shije për ushqimin, shpesh ndan receta nga kuzhina e saj në rrjetet sociale.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi