• Home
  • SHQIPERIA
  • Mbetjet në Porto Romano, përfaqësuesja e studentëve protestues: Ka vetëm fjalë, jo vepra!
SHQIPERIA

Mbetjet në Porto Romano, përfaqësuesja e studentëve protestues: Ka vetëm fjalë, jo vepra!

Spread the love

Prej ditësh në Durrës, banorë dhe studentë janë bërë bashkë e po protestojnë kundër djegies së plehrave në zonën e Porto Romanos, ndotja e së cilës ka vështirësuar jetën e banorëve në një rreze shumë të madhe.

Bashkia shpalli emergjencën mjedisore, por përveç vendimit të shprehur, në terren asgjë nuk ka ndryshuar. Pikërisht për të folur mbi këtë situatë, e ftuara e kësaj të enjteje në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ka qenë Suada Dida, përfaqësuese e studentëve që dolën në protestë.

Edhe ditën e sotme, siç shprehet e ftuara, situata mbetet e njëjtë. Ajo mbetet ende alarmante për personat që e kanë ndjekur dhe e kanë vizituar zonën e Porto Romanos.

“Gjeneza e kësaj situate ka vite, prej vitit 1994 që është krijuar, por që pamjet më katastrofike po i përjeton në këtë periudhë. Studentët kanë pasur një problem të madh që pas transferimit të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike nga Currilat në Spitallë, pasi sa herë shkonin nëpër auditoriume përballeshin me vështirësi frymëmarrjeje. Për këtë arsye nisi edhe revolta studentore, nuk ishte thjesht bashkim me qytetarët, por nga pamundësia për të zhvilluar mësimin normal”, tha Suada Dida.

Edhe pse emergjenca mjedisore është shpallur nga Bashkia e Durrësit që në muajin korrik të këtij viti, përfaqësuesja e studentëve protestues thotë se, për të gjithë ata që jetojnë përditë atje nuk ka ndryshuar asgjë, e situata vijon të jetë në të njëjtat nivele.

“Kemi vetëm një deklaratë formale, të cilën unë e marr si demagogji. E thënë ndryshe, përpiqen të na mbushin mendjen se po ndodh diçka, por në fakt nuk ndodh asgjë. Kërkesa jonë është strikte. Edhe pse e dimë që do të dojë një periudhë të gjatë kohe për rehabilitimin e zonës, ajo që kemi kërkuar është që të paktën të mos digjen më plehra në ditët në vijim. Nga ky moment të ndalet hedhja e plehrave atje dhe sigurisht edhe djegia e tyre. Rehabilitimi do absolutisht shumë kohë, pasi ajo zonë është shumë e rrezikshme”, thotë Suada Dida.

Sa i përket sipërfaqes, bëhet fjalë për rreth 12 hektarë me mbeturina, gjë që përfaqësuesja e studentëve e bazon në përgjigjet e marra prej institucioneve si Bashkia e Durrësit apo Ministria e Mjedisit, e mbushur e gjitha me rreth 500 mijë metra kub plehra.

Suada Dida thotë se në dijeninë e saj ka pasur inspektime nga Inspektoriati i Mjedisit, që e ka shpallur atë një zonë katastrofike, ndërkohë që ka gjobitur edhe Ndërmarrjen e Shërbimit Komunal të Durrësit, gjithsesi pa sjellë asnjë ndryshim.

Nëse situata vijon të mos ndryshojë, studentët sipas saj do të përshkallëzojnë protestat, që si kurrë më parë siguroi edhe mbështetjen e pedagogëve dhe qytetarëve të Porto Romanos, ndryshe nga herët e tjera kur dilnin spontanisht vetëm studentë kundër ndotjes. Suada Dida theksoi se ka pasur kërkesë nga organizata studentore të Tiranës për t’iu bashkuar në këtë nismë për këtë kauzë tejet jetike, por që hapat do t’i ndërmarrin me radhë duke nisur edhe nga shkresat në pritje të përgjigjeve institucionale.

Duke theksuar se kryebashkiaku Vangjush Dako nuk ka shkuar për të vizituar zonën në fjalë gjatë kësaj jave, por është mjaftuar vetëm me disa mesazhe në rrjetet sociale, Suada Dida thotë se nuk kërkojnë vetëm fjalë, por një datë se kur do të ndalet hedhja dhe djegia e mbetjeve, në pritje të rehabilitimit që do të kërkojë më shumë kohë./Top Channel/

Related posts

Skadon afati, Meta nuk ka vendim për Lleshin

dritatv

PËR QYTETARËT QË DUAN TË DËGJOHEN!

dritatv

Valë grabitjesh në Kuçovë

dritatv

Leave a Comment