May: Marrëveshja e Brexit-it do të lejojë lidhjet tregtare me çdo vend

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar pas Brexit-it do të ketë një politikë tregtare të pavarur dhe do të bëjë tregti me vendet anembanë botës.

Komentet e kryeministres britanike vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, dje tha se marrëveshja e Brexit-it me Bashkimin Evropian (BE) mund të pengojë tregtinë midis Washingtonit dhe Londrës.

“Nëse shikoni në deklaratën politike e cila përcakton kornizën e ardhshme për marrëdhëniet tona me BE-në, ajo qartë identifikon se do të kemi një politikë tregtare të pavarur dhe se do të jemi në gjendje të bëjmë tregti dhe negociojmë marrëveshje tregtare me vendet e pjesës tjetër anembanë botës”, tha May, duke folur për Sky News.

Përsa i përket SHBA-ve, May theksoi se tashmë ata po flasin me ta për llojin e marrëveshjes që mund të kenë në të ardhmen.

Dje, Trump tha se marrëveshja me Brukselin “tingëllon si një marrëveshje e madhe” për BE-në, duke shtuar se, “Mendoj se duhet të hedhim një vështrim serioz, pavarësisht asaj nëse SHBA-të lejohen të tregtojnë, sepse tani ju e dini, nëse shikoni marrëveshjen, ata mund të mos jenë në gjendje të tregtojnë me ne”.

Presidenti amerikan theksoi se kjo nuk do të ishte një gjë e mirë dhe shtoi se ai shpreson që kryeministrja britanike do të jetë në gjendje të bëjë diçka rreth kësaj.

“Por tani, meqë marrëveshja qëndron, ata mund të mos jenë në gjendje të tregtojnë me SHBA-të dhe nuk mendoj se ata e duan atë. Kjo do të ishte shumë negative për marrëveshje”, theksoi Trump.

May po viziton Uellsin dhe Irlandën e Veriut për të kërkuar mbështetje për marrëveshjen e saj në një përpjekje për të siguruar votat parlamentare në një votim të caktuar për më 11 dhjetor.

Ndërkohë, kryetarja e Partisë së Unionit Demokratik (DUP) të Irlandës së Veriut, Arlene Foster, tha për BBC News se udhëtimi i kryeministres është “humbje kohe” dhe akuzoi kryeministren se ka hequr dorë nga përpjekja për të siguruar një marrëveshje më të mirë për Irlandën e Veriut.

Foster tashmë në disa raste ka theksuar se partia e saj do të kundërshtojë marrëveshjen e tërheqjes dhe deklaratën politike të nënshkruar me BE-në, pavarësisht një pakti “besimi dhe ofrimi” me Partinë Konservatore udhëheqëse.

Partia Konservatore e Mbretërisë së Bashkuar duhej të nënshkruajë një marrëveshje të aleancës parlamentare me partinë DUP, pasi humbi shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit të kaluar.

Në përpjekjen e parë për të fituar vota të mjaftueshme të ligjvënësve britanikë për votimin e ardhshëm mbi marrëveshjen, May e përshkroi marrëveshjen e arritur me BE-në si “marrëveshje të duhur për Britaninë”.

Duke u deklaruar dje në Dhomën e Përfaqësuesve, May informoi ligjvënësit se pse ajo besonte se marrëveshja ishte mundësia e vetme për të ecur përpara në drejtim të Brexit-it.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë mbi marrëveshjen e tërheqjes dhe deklaratën politike më 11 dhjetor, ndërsa May ka për detyrë të bind të paktën 320 deputetë për të votuar marrëveshjen e saj.

Votimi tashmë është debatuar që nga java e kaluar kur nga qeveria britanike u publikuan detajet e marrëveshjes së Brexit-it. Ndër pikëpamjet negative të shprehura janë partitë opozitare, DUP-i i Irlandës së Veriut dhe disa anëtarë në favor të Brexit-it të Partisë Konservatore të kryeministres May.

Nëse May nuk arrin të marrë mbështetje për marrëveshjen, një votë mosbesimi ka të ngjarë të shkaktohet kundër kryeministrisë saj, gjë që po ashtu mund të shkaktojë një kohë më të trazuar në politikën britanike dhe Mbretëria e Bashkuar ndoshta mund të largohet nga BE-ja pa asnjë marrëveshje.

Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 29 mars të vitit 2019./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi