May dhe Trump thirrje Rusisë të përdorë ndikimin e saj në Siri

 

 

Kryeministrja britanike, Theresa May dhe presidenti amerikan, Donald Trump, në një bisedë telefonike diskutuan për situatën e fundit në Siri, në të cilën u theksua se “Rusia duhet të ndikojë në regjimin e Bashar al-Asadit për t’i dhënë fund dhunës dhe për të mbrojtur civilët”.

Në një deklaratë nga qeveria britanike thuhet se liderët e të dy vendeve diskutuan për Sirinë dhe “situatën e tmerrshme humanitare” në Gutën Lindore.

“Ata ranë dakord se ishte një katastrofë humanitare dhe se përgjegjësia dërmuese për vuajtjet njerëzore qëndron me regjimin sirian dhe Rusinë, si mbështetës kyç i regjimit”, theksohet në deklaratë.

Kryeministrja May dhe presidenti Trump poashtu “ranë dakord se Rusia dhe të tjerët me ndikim mbi regjimin sirian duhet të veprojnë tani për të ndërprerë fushatën e tyre të dhunës dhe për të mbrojtur civilët”.

Sipas raportimeve, sulmet e kryera nga regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij në Gutën Lindore kanë vrarë më shumë se 700 civilë.

Guta Lindore është nën rrethim për pesë vitet e fundit. Qasja humanitare në këtë zonë, e cila është shtëpi e 400 mijë banorëve, është ndërprerë plotësisht.

Në tetë muajt e fundit, forcat e regjimit sirian kanë intensifikuar rrethimin e tyre në Gutën Lindore, duke e bërë pothuajse të pamundur që ushqimi ose ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë pa trajtim mijëra pacientë në nevojë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi