Masakra e Reçakut, si e fitoi lirinë oficeri i vetëm serb që u dënua

Kur shënohen 21 vite nga masakra e Reçakut, ku humbën jetën 45 persona, familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësi. Ishte 15 janari i vitit 1999 kur në Reçak u vranë 45 civilë, krim për të cilin është dënuar vetëm një ish-oficer serb në 2001-in.

Bëhet fjalë për ish-oficerin Zoran Stanojevic, i cili u dënua nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 15 vite burgim. Por pas ekstradimit të tij në Serbi, dënimi iu amnistua nga presidenti i atëhershëm serb, Boris Tadiç.

Ramë Shabani, një prej të mbijetuarve të kësaj ngjarje tragjike tregon se ka parë me sytë e tij gjithë torturën e pushkatimin e bashkëfshatarëve. Ndonëse për këto vite me radhë ka marrë pjesë në përkujtimoren e viktimave, Shabani bashkë me familjarët e tjerë nuk ndalet së kërkuari drejtësi e ndëshkim e autorëve.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për T7 se nuk është vonë që të ngrihen aktakuza për autorët e masakrës së Recakut. Blakaj kërkon që tema e të zhdukurve dhe viktimave të luftës të jetë prioritet nga qeveria e re në dialogun me Beogradin.

Teksa ngjarja ngelet pa autorë, në Prokurorinë Speciale të Kosovës në emër të viktimave të Recakut në dhjetor të vitit të kaluar është dërguar edhe një kallëzim penal ndaj presidentit serb Aleksandër Vuciç. Ky fakt është bërë i ditur nga avokati Tomë Gashi, i cili këtë kallëzim penal e ka ngritur pas mohimit që kreu i shtetit serb i bëri Masakrës së Reçakut.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi