Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve të pesta të parakohshme parlamentare

Pas fillimit të pluralizmit politik, në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur pesë zgjedhje të rregullta parlamentare dhe katër zgjedhje të parakohshme parlamentare, respektivisht në vitet 2008, 2011, 2014 dhe 2016. Zgjedhjet e para u mbajtën kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ndërsa të tjerat pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991.

Zgjedhjet të parakohshme për të përcaktuar rrugën në të cilën duhet të vazhdojë vendi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut vijnë pasi vitin e kaluar në muajin tetor nuk u arrit konsensus në Samitin e Bashkimit Evropian (BE) për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, që ishte një nga zotimet kryesore të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev.

Pasi nuk kishte vendim për fillim të negociave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, Zaev tha se vendit i është bërë një “padrejtësi e madhe” dhe se BE nuk ka përmbushur zotimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut, edhe pse vendi i tij, siç tha ai, arriti rezultate në reforma dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët.

Për këto arsye, Zaev si kryeministër propozoi mbajtjen e zgjedhjeve të shpejta dhe të parakohshme, duke theksuar se “qytetarët do të vendosin cila është rruga në të cilën duhet të vazhdojë vendi”.

Pas këtij propozimi, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, krerët e partive më të mëdha politike u takuan me presidentin Stevo Pendarovski, pas të cilit njoftuan se ishin pajtuar për të mbajtur zgjedhje të parakohshme më 12 prill të këtij viti. Pas njoftimit, filloi procedura për formimin e qeverisë tektnike.

Më 3 janar të këtij viti, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm, Zoran Zaev, të paraqitur në marrëveshjen midis partive politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit. Pas dorëheqjes së kryeministrit Zaev, në të njëjtën ditë, më 3 janar, Kuvendi zgjodhi qeverinë teknike, të angazhuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, në bazë të marrëveshjes së arritur midis partive politike. Kryeministri i qeverisë teknike është Oliver Spasovski, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm deri në zgjedhjen e tij si kryeministër teknik.

Por, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), partitë politike ranë dakord për prolongimin e zgjedhjeve dhe më pas më 15 qershor krerët politik të vendit njoftuan se ishin pajtuar që zgjedhjet të mbahen më 15 korrik.

Pasi u pajtuan për datën e zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) filloi përgatitjet për zgjedhjet dhe partitë politike filluan luftën për të fituar besimin e qytetarëve.

Fushata zgjedhore

Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19, zgjedhjet do të zhvillohen me rregulla dhe protokolle të veçanta, për shkak të të cilave në vend të mbajtjes së tyre brenda një dite, ato do të mbahet për 3 ditë, respektivisht më 13, 14 dhe 15 korrik.

Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve të pesta të parakohshme parlamentare
Sipas autoriteteve, personat e sëmurë dhe të dobët fizikisht do të votojnë më 13 dhe 14 korrik në shtëpi apo në spitale, përfshirë personat e prekur nga COVID-19, si të gjithë ata qytetarë që janë në izolim shkaku i pandemisë. Ndërsa më 15 korrik, koha e votimit do të zgjatet për dy orë, gjegjësisht procesi zgjedhor do të fillojë në ora 7 të mëngjesit dhe do të përfundojë në ora 9 të mbrëmjes, duke respektuar protokollet për mbrojtjen nga COVID-19.
Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare filloi më 24 qershor dhe do të zgjasë më 12 korrik. Në zgjedhjet për 120 vende në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, marrin pjesë 15 koalicione dhe parti politike me gjithsej 1.598 kandidatë, shumica e të cilëve tashmë kanë filluar me paraqitjet publike të tyre. KSHZ po ashtu ka mbyllur edhe listën zgjedhore dhe gjithsej 1.814.263 qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Për shkak të gjendjes me COVID-19, fushata zgjedhore kryesisht mbahet online dhe ngjarjet në kuadër të fushatës së drejtuar nga partitë politike mbahen në hapësira të hapura, me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve, me respektimin e distancës dhe mbahen maska.

Duke marrë parasysh se një nga temat më aktuale në botë është përballja me pandeminë, kjo po ashtu është një temë e partive politike. Autoritetet thonë se pavarësisht numrit në rritje të rasteve me COVID-19, sistemi i kujdesit shëndetësor ka arritur të përballet me situatën dhe ta kontrollojë atë, si dhe se masat ekonomike të ndërmarra nga qeveria kanë ndihmuar qytetarët dhe kompanitë më lehtë të tejkalojnë këtë krizë.

Nga ana tjetër, partitë opozitare thonë se numri në rritje i të prekurve dhe vdekjeve nga COVID-19 është rezultat i humbjes së kontrollit mbi virusin dhe se masat ekonomike të qeverisë janë të pamjaftueshme.

Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila udhëhoqi qeverinë nga qershori i vitit 2017 deri në zgjedhjen e qeverisë teknike në janar të këtij viti, formoi një koalicon parazgjedhor me partinë politike shqiptare “Besa”, por edhe me parti të tjera të komuniteteve pakicë në vend, përfshirë turqit, boshnjakët, romët, vllehët, serbët.

Ky koalicion kërkon besimin e qytetarëve me sloganin “Mundemi”, siç thonë ata, në mënyrë që të vazhdojnë rrugën e anëtarësimit në BE dhe anëtarësimit tashmë të suksesshëm në aleancën e NATO-s, duke premtuar zhvillim ekonomik dhe të shoqërisë me respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia më e madhe shqiptare në vend dhe partner i deritanishëm në qeveri me LSDM-në, po prezanton programin e saj në fushatën zgjedhore me sloganin “Pse jo”, duke kërkuar që një shqiptar të zgjidhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut, zgjedhje e cila do të ndodhte për herë të parë në këtë vend. BDI beson se në këtë mënyrë do të sjellë një jetë më të mirë në vend.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në koalicionin e saj po ashtu ka parti dhe individë nga komunitetet më të vogla etnike, paraqitet para publikut me sloganin “Rindërtimi i Maqedonisë” dhe zotohet për rivendosjen e drejtësisë në vend, do të sjellin rezultate më të mira ekonomike dhe do të ndërtojnë institucione më të forta shtetërore.

Partia opozitare “Aleanca për Shqiptarët” ka formuar një koalicion parazgjedhor me partinë “Alternativa”, e cila është pjesë e qeverisë aktuale. Slogani i tyre është “Tash është koha”, me anë të të cilës besojnë se është koha për ndryshime në përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët.

Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH), e cila është në opozitë, po zhvillon fushatën nën sloganin “Vjen vera ka dera”. Ata theksojnë se kanë një plan të detajuar ekonomik dhe politik, respektivisht se kanë kuadër “që do t’i vendosë shqiptarët në një nivelin e merituar”.

Tre parti turke marrin pjesë në zgjedhje

Tre parti turke po garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partia Demokratike Turke (TDP) dhe Partia e Lëvizjes së Turqve (THP) janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM, ndërsa Lëvizja e Unitetit Kombëtar Turk (TMBH) është në koalicion me opozitën VMRO-DPMNE.

Slogani i TDP-së është “Për ardhmërinë tonë (Geleceğimiz icin), i THP-së është “Vazhdojmë drejt qëllimit” (Hedefe doğru), ndërsa ai i TMBH-së “Ne jemi me Turqinë, Turqia është me ne” (Biz Türkiyeyleyiz Turkiye Bizimle).

Maqedonia e Veriut dhe politika e jashtme: Në çfarë rruge po drejtohet vendi?

Pas mos-miratimit së vendimit për fillim të negociatave të anëtarësimit së BE-së me Maqedoninë e Veriut në samitin e muajit tetor të vitit të kaluar, më 25 mars të këtij viti BE njoftoi vendimin e saj për të filluar negociatat e anëtarësimit me këtë vend.

Më 27 mars, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s, duke arritur një nga qëllimet strategjike të vendit. SHBA përshëndeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe është mbështetëse e rrugës evropiane të këtij vendi.

Në tetor, sekretari i shtetit amerikan, Mike Pompeo vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe deklaroi se “SHBA do të vazhdojë të jetë partner i Maqedonisë së Veriut për të mirën e qytetarëve të saj, për të mirën e rajonit dhe për të mirën e botës”, duke theksuar se, “Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet ta çojnë vendin përpara, dhe jo provokimet ruse në mediat sociale”.

Për përfaqësuesit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, SHBA është një partner strategjik i vendit.

Rusia nuk e ka fshehur pakënaqësinë e saj për orientimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut. Në muajin mars të vitit 2018, ambasadori rus në Shkup, Oleg Shcherbak, komentoi një deklaratë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, e cila në publik u raportua se “nëse Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s, ajo do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në stabilitetin e rajonit”.

Ambasadori Shcherbak atëkohë tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO mund të ketë pasoja për vendin, duke shtuar se në rast të agresionit të NATO-s kundër Rusisë, nëse Maqedonia e Veriut bëhet anëtare e NATO-s atëherë ky vend “mund të jetë një objektiv legjitim në një sulm hakmarrës nga Rusia”.

Më herët më 26 mars të vitit 2018, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se “në konsultim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë nga BE dhe NATO, si dhe në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, ka vendosur të dëbojë një diplomat të Federatës Ruse në Maqedoninë e Veriut për shkak të rastit Skripal”. Kjo më tej ndikoi në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, Turqia e ka mbështetur këtë vend në të gjitha fushat, veçanërisht në rrugën e saj euro-atlantike. Turqia është ndër dhjetë investitorët kryesor të huaj në vend dhe po ashtu tregoi miqësinë dhe mbështetjen e saj për vendin gjatë pandemisë aktuale COVID-19, pasi aeroplanë turq dorëzuan ndihmë mjekësore në vend për t’u përballur me përhapjen e virusit. Krerët politik të Maqedonisë së Veriut theksojnë se marrëdhëniet me Turqinë janë miqësore dhe vëllazërore dhe se ka hapësirë për bashkëpunim të shtuar ekonomik.

Kanë mbetur edhe disa ditë që partitë politike të paraqesin programet e tyre zgjedhore që kërkojnë besimin e qytetarëve, ndërsa në ditën e zgjedhjeve, sipas aktorëve politikë, “qytetarët do të vendosin se cila do të jetë rruga që do të vazhdojë vendi”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi