Maqedoni, takim i donatorëve për përballje me ndotjen e ajrit

Qeveria e Republikës së Maqedonisë, sot në takimin e donatorëve prezantoi strategjinë dy vjeçare për uljen e ndotjes së ajrit.

Programin qeveritar para përfaqësuesve ndërkombëtar e prezantoi zëvendëskryeministri dhe koordinator kombëtar i ndihmës së huaj, Bujar Osmani.

Ai theksoi se ndotja e ajrit është një nga problemet më komplekse me të cilat përballet vendi, dhe një nga sfidat më të rënda me të cilat përballet Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Sipas tij, problemi ka histori më të gjatë, megjithatë ka edhe trend negativ dhe nuk mund të zgjidhet me shkop magjik.

“Atë që e dimë si praktikë tonë, por edhe si praktikë botërore është se ky problem nuk mund të zgjidhet me shkop magjik, me ad hok zgjidhje. Por gjithmonë strategjitë, qofshin afatshkurtra ose afatgjata janë treguar si më të mirat dhe më të qëndrueshme për zgjidhjen e këtij problemi me të cilin përballet vendi”, deklaroi Osmani.

Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, i cili është udhëheqës i grupit inter-dikasterial për përballje me ndotjen e ajrit, tha se plani i Qeverisë për përballje me ndotjen nuk është një letër e zakonshme, por është program me masa dhe aktivitete të definuara.

Makraduli para takimit kërkoi nga organizatat joqeveritare që të ndihmojnë në përballjen me ndotjen e ajrit.

“Unë pajtohem se qytetarët nuk dëshirojnë të ndotin, por situata sociale-ekonomike është ashtu siç është. Andaj vazhdimisht lus për ndihmë edhe nga organizatat joqeveritare. Ka shembuj në Evropë ku pikërisht organizatat joqeveritare trokasin në dyert e familjeve dhe u thonë se nëse ngroheni me qymyr kjo është shumë e dëmshme për fëmijën tuaj”, theksoi Makraduli.

Në pyetjen se sa para pritet të arrijnë pas konferencës së donatorëve, Makraduli theksoi se vetëm Agjencia suedeze për bashkëpunim zhvillimor ndërkombëtar (SIDA) ka paraparë buxhet prej 2.5 milionë euro.

Sipas Qeverisë, strategjia dy vjeçare duhet të jetë edhe platformë për një strategji më afatgjate për zgjidhjen e një nga sfidat më të rënda, më komplekse me të cilat përballet vendi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi