Maqedoni, nënshkruhen marrëveshje me komuna për investim në mjedisin jetësor

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Sadulla Duraku, me shtatë kryetarë të komunave të vendit ka nënshkruar marrëveshje për ndarjen e mjeteve financiare nga Programi për investim në mjedisin jetësor për këtë vit.

Mjetet financiare do të shfrytëzohen për përpunimin e dokumentacionit teknik si dhe për ndërtimin e sistemit të kanalizimit dhe sistemit të kullimit dhe pastrimit të ujërave të zeza.

Ministri Duraku bëri të ditur se në kuadër të këtij programi për këtë sferë janë paraparë gjithsej 45 milionë denarë, mjete të cilat siç tha ai, u janë ndarë 36 komunave për 42 projekte.

“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor vazhdon të mbështesë financiarisht vetëqeverisjet lokale në menaxhimin dhe mbrojtjen e cilësisë së ujërave, pasi kjo siguron jo vetëm një mjedis të pastër, por gjithashtu ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e banorëve”, deklaroi Duraku.

Marrëveshjet u nënshkruan në hapësirat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga kryetarët e komunave të Qytetit të Shkupit, të Tetovës, Likovës, Vrapçishtit, Shuto Orizares, Manastirit dhe Berovës.

Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Petre Shilegov, shprehu mirënjohje ndaj Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeverisë së Maqedonisë për angazhimin e tyre në ndarjen e mjeteve financiare, me të cilat siç tha ai, do të investohet për të krijuar një jetë më cilësore për qytetarët e vendit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi