Malajzia dhe Britania diskutojnë për Arakanin

Ministri i Jashtëm i Malajzisë, Saifuddin Abdullah ka deklaruar se e ka informuar homologun e tij britanik, Jeremy Hunt, për përpjekjet e vendit të tij për të zgjidhur problemet e muslimanëve të Arakanit.

Në një deklaratë pas takimit të zhvilluar me sekretarin e Jashtëm britanik, i cili ndodhet në Malajzi për një vizitë zyrtare, Abdullah tha se me homologun e tij Hunt krahas marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve kanë diskutuar edhe për problemet e muslimanëve të Arakanit në Mianmar.

“E kam informuar homologun britanik në lidhje me përpjekjet e Malajzisë për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Abdullah, duke shtuar se kanë formuar kontakte me qeveritë e Mianmarit dhe Bangladeshit për themelimin e një komisioni për ndihmat humanitare.

“Në të nëjtën kohë, po përpiqemi të sigurojmë kthimin në vend të refugjatëve të Arakanit që ndodhen në Malajzi, nëse ofrohet siguri në vendin e tyre”, tha Abdullah.

Sekretari britanik Hunt tha se janë në të njëjtin drejtim me Malajzinë për problemin e Arakanit. “Situata aktuale është e papranueshme për ne, nuk është e drejtë dhe humane në asnjë mënyrë. Për të arritur përparim në rrugën e zgjidhjes ne dëshirojmë të punojmë me Malajzinë, vendet e ASEAN-it dhe Kombet e Bashkuara”, tha ai.

Hunt pas takimit me Saifuddin është takuar edhe me kryeministrin malajzian, Mahathir Muhammed.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi