Makinat vepra arti. Ekspozohen në Tiranë automjetet e restauruara

Ato janë elegante, kanë dizajn të veçantë, detaje, histori. Nuk janë thjesht automjete, por vlera arti. Nga të gjitha markat, ngjyrat, të ndryshme, por me të përbashkën që janë retro.

Stili i tyre deri më sot ka qenë pasion i kushtueshëm i koleksionistëve, ndërsa tanimë një projekt i quajtur Retro, koleksioni shqiptar, i promovon dhe ekspozon këto mjete me interes historik.

Në këtë ekspozitë janë rreth 40 mjete, të gjitha të përdorura në Shqipëri, të mbledhura dhe të restauruara nga koleksionistë shqiptarë nga brenda dhe jashtë kufirit. Janë të gjitha shumë të bukura dhe unë e kisha shumë të vështirë të zgjidhja, por në veçanti do t’ju tregoj këtë Rolls Royce.

Koleksionistët dhe shumë mjeshtra të restaurimit i kanë kushtuar kohë dhe shpenzime personale mirëmbajtjes dhe sjelljes në formë të këtyre mjeteve. Sepse kjo u ka shtuar atyre energjinë.

Vigan Karkini shprehet: “Kjo është një makinë ruse Gaz 69, model A. Në Shqipëri ka qenë e Ushtrisë, ka qenë makina e Kadri Hazbiut. Kjo është forma origjinale siç ka qenë. Restaurimin e kësaj makine e ka bërë Përparim Kolasi. E them me bindje që është më elegantja, edhe pse është ushtarake. Është pasion i kushtueshëm”.

Ndërsa Ehat Oreshka shprehet: “Kjo është Volvo Amazon e vitit 1966. Kam mbi 20 vite që e kam në pronësi. Ka kushtuar shumë, ndoshta jo shumë në aspektin material, por kërkon shumë kohë”.

Këto janë të gjitha mjete të përdorura në Shqipëri. Vlera e tyre qëndron tek kujtesa, tek nostalgjia, por edhe tek rikthimi në një kohë dhe brez ku makina ishte një luks.

Sipas projektit Retro, këto mjete së shpejti do të kenë një muze dedikuar atyre.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi