Luksi institucional, vitin tjetër 7 milionë euro për vetura të reja

Gjatë vitit 2018 institucionet qendrore në vend kanë paraparë t’i shpenzojnë më shumë se 7 milionë euro për blerjen e veturave të reja. Në projektbuxhetin e vitit 2018 shihet se për këtë qëllim vetëm FSK-ja e Policia e Kosovës do t’i shpenzojnë më shumë se 5.1 milionë euro.

Më shumë se 7 milionë euro para të buxhetit të shtetit gjatë vitit 2018 po planifikohen të shpenzohen vetëm për blerje të automjeteve të reja për institucionet qendrore, pa i llogaritur këtu edhe komunat e Kosovës.

Po ashtu përmes një tenderi publik para pak ditësh Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion ky i cili zhvillon prokurime në emër të institucioneve që marrin para nga buxheti Kosovës, ka nënshkruar kontratat me operatorët ekonomikë për marrje me qira të qindra veturave e ku vlera e kontratës është 7.2 milionë euro. E një tender tjetër i njëjtë si ky aktualisht është duke u proceduar nga AQP-ja.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni që do të shpenzojë më së shumti mjete për automjete të reja gjatë vitit 2018, por edhe gjatë dy vjetëve në vijim. Për automjete jotaktike në vitin 2018 janë paraparë 100 mijë euro e derisa për automjete taktike vetëm gjatë vitit 2018 janë paraparë që të shpenzohen 3.2 milionë euro. Po ashtu edhe 900 mijë euro të tjera janë paraparë të shpenzohen në vitin 2019, derisa në vitin 2020 për këtë qëllim do të shpenzohen edhe 1.6 milion euro të tjera.

Policia e Kosovës gjatë vitit që vjen për furnizim me automjete të reja ka paraparë një buxhet prej 1.8 milion eurosh, për vitin 2019 ka paraparë që t’i shpenzojë për këtë qëllim 1 milion e 650 mijë euro, derisa në vitin 2020 për blerjen e veturave të reja Policia e Kosovës ka paraparë që t’i shpenzojë në total hiç më pak se 5.3 milionë euro.

Në projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se për vitin 2018 Kuvendi i Kosovës për furnizim me vetura të reja ka planifikuar t’i shpenzojë 130 mijë euro, po aq ka planifikuar t’i shpenzojë për këtë qëllim edhe gjatë vitit 2019 dhe gjatë vitit 2020./Kosova post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi