“Lufthansa” dhe “Air France”, grevat bllokojnë mijëra udhëtarë. Anulohet një fluturim në Rinas

 

 

Dy prej linjave ajrore më të mëdha të Europës janë prekur nga greva, duke lënë në tokë qindra fluturime e duke prekur kështu me mijëra udhëtarë. Të prekur në këtë mes janë edhe shqiptarët, pasi në Aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit ishte parashikuar ardhja e një avioni nga Frankurti në Tiranë në orën 13:10, e më pas nisja e tij për kthim në Frankfurt në orën 13:50.

 “Lufthansa” është detyruar të anulojë 800 nga 1.600 fluturimet e planifikuara për shkak të grevës së punonjësve të sektorit publik. Ndërprerja e funksioneve është në fuqi në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Këlnit dhe Bremenit.

Njëkohësisht me të, edhe “Air France” ka anuluar një prej 4 fluturimeve të saj, pasi ekuipazhet e kësaj kompanie morën pjesë në grevë, në mbështetje të pretendimeve për rritjen me 6% të pagave.

“Lufthansa” tha se rreth 90 mijë pasagjerë janë prekur nga greva e sektorit publik gjerman, që gjithsesi nuk përfshin medoemos edhe stafin e linjës ajrore. Kompania gjermane u tha pasagjerëve, fluturimet e të cilëve nuk janë anuluar, që të pranojnë vonesat në fluturime apo të paraqiten më herët nëpër aeroporte.

Unioni tregtar “Verdi” tha se grevat kishin për synim të “rrisnin presionin” ndaj punonjësve të sektorit publik përpara bisedimeve për pagat.

Gjithsesi, “Lufthansa” shtoi se “nuk mund ta kuptonte kërcënimin e sindikatës ‘Verdi’, për të ndërmarrë një grevë kaq masive”.

“Sigurisht që është tërësisht e papranueshme që një sindikatë e tillë të shkaktojë këtë konflikt ndaj pasagjerëve që nuk duhen përfshirë në këtë mes”, tha Bettin Volkens, kreu i Burimeve Njerëzore të kompanisë gjermane të fluturimeve.

“Lufthansa nuk është pjesë e këtij konflikti kolektiv, por për fat të keq klientët tanë dhe kompania jonë po preken nga pasojat e kësaj mosmarrëveshjeje”.

Volkens shtoi se “politikanët dhe ligjvënësit duhet të përcaktojnë rregulla të qarta për grevat dhe veprimet e sindikatave”.

“Lufthansa” njoftoi se shërbimet normale mund të rikthehen gjatë së mërkurës.

Ndërkohë, “Air France” bëri të ditur se përballet me një kosto prej rreth 170 milionë eurosh, për shkak të një vale të gjatë grevash nga punonjësit e saj, ndërsa ndërprerja e së martës prej tyre ishte thjesht shembulli më i fundit.

Greva pritet të vazhdojë edhe gjatë së mërkurës, ndërsa të tilla situata janë planifikuar edhe për të paktën 4 ditë të tjera brenda këtij muaji. Edhe udhëtimet hekurudhore në Francë janë nën presion për shkak të një programi grevash nga stafi i “SNCF”-së, në kundërpërgjigje ndaj reformave të punës të ndërmarra nga presidenti Emmanuel Macron.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi