SHQIPERIA

Lleshaj takim me Avramopoulos: Bashkëpunim për rritje të sigurisë në Ballkan

Spread the love

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një konferencë të përbashkët me komisionerin Avromoupolos deklaroi se autoritetet shqiptare dhe ata në rajon kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë për rritje të sigurisë në Ballkan.

Lleshaj tha se sa i takon shqiptarëve dhe krimeve të tyre në Europë, kriminaliteti i etnisë shqiptare në vende të BE-së është në shifra thuajse të papërfillshme.

Fjala e ministrit Sandër Lleshaj:

Ministri Lleshaj:

Faleminderit shumë i nderuar Komisioner,

i nderuar mik,

Së pari për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që i keni dhënë gjithë perspektivës europiane të vendeve të Europës Juglindore ku për fat të mirë përfshihet dhe vendi im.

Kontributi juaj ka bërë që ne të bëjmë hapa të rëndësishëm drejt Bashkimit Europian, të bëjmë hapa historikë të cilat dhe ju sapo i përmendët në fjalën tuaj, po unë nuk përtoj që t’i përsëris disa prej tyre që janë më të rëndësishmet, të cilat shënojnë vërtet arritje të karakterit historik.

Për herë të parë Shqipëria u ka garantuar statusin ekzekutiv oficerëve të Frontex në kufijtë e saj, që do të thotë ka bërë një hap të paprecedentë duke transferuar një pjesë të kompetencave dhe autoritetit ekzekutiv, pse jo sovranitetit të saj në drejtim të BE që do të thotë që Shqipëria sillet faktikisht si një vend anëtar i BE, ndonëse është ende në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Pra kjo është një provë e rëndësishme e angazhimit tonë të palëkundur në drejtim të vlerave dhe standardeve europiane.

Po kështu për herë të parë, Shqipëria u bë vendi që pret zyrën e Europolit në Tiranë, është hera e parë pra pas Uashingtonit, që Europol-i hap një zyrë jashtë vendeve anëtare.

Edhe kjo është një provë tjetër e rëndësishme e angazhimit serioz të Shqipërisë, për të përqafuar dhe për të implementuar standardet europiane, është shenjë e një luajaliteti  të pakushtëzuar që Shqipëria ka ndaj vlerave europiane dhe këtë e bën me vetëdije të plotë për arsye se po ashtu, në mënyrë të paprecedentë në Shqipëri mbështetja për BE është ndër më të lartat, jo vetëm në rajon, por dhe kur krahasohet me mbështetjen që ky institucion ka në vendet e tjera anëtare.

Për të përmendur dhe një shenjë dhe një provë të rëndësishme të angazhimit tonë drejt vlerave europiane, është edhe fakti që Shqipëria i ka garantuar BE përmes përfaqësuesve të saj, fuqi kushtetuese për të ndërhyrë në sistemin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe të prokurorëve të saj.

Pra në të ashtuquajturin sistem Vettingu, ku përfaqësuesit europianë kanë një zë të fuqishëm, kushtetues në një proces të rëndësishëm të paprecedentë, i cili shënon dhe në të njëjtën kohë një nga reformat më të mëdha që vendi po zhvillon duke e shndërruar Shqipërinë në një model në këtë fushë shumë të rëndësishme, në reformimin e thellë, pothuajse revolucionar të sistemit të drejtësisë drejt një mendësie të re, të barabartë për gjithë qytetarët e saj dhe të ndarë njëherë e përgjithmonë nga korrupsioni dhe nga lidhjet  e papërshtatshme.

Sa i përket ngjarjes së sotme, nënshkrimi i marrëveshjes për zbatimin  e planit të përbashkët në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, mund të them që përsëri shohim një hap të parë, pra vazhdojmë të ecim më shpejt dhe të prijmë në këtë proces të afrimit drejt BE duke bashkuar forcat për të luftuar së bashku terrorizmin, ekstremizmin dhe për të shkëmbyer eksperienca, për t’u përgjigjur së bashku ndaj kësaj sfide shumë të rëndësishme, e cila për fat të keq na ka angazhuar dhe do të vazhdojë të na angazhojë edhe në të ardhmen që na pret përpara.

Shqipëria mbetet një vend i angazhuar plotësisht jo vetëm në zbatimin e kësaj marrëveshjeje që sapo nënshkruam, por dhe në zbatimin e të gjitha angazhimeve të saj në drejtim të plotësimit të standardeve europiane që kërkohen prej nesh, mbetet po ashtu me shpresë të plotë që përpjekjet e popullit shqiptar në radhë të parë do të njihen, do të respektohen dhe do të vlerësohen në vendimin e ardhshëm të Këshillit Europian, për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke besuar se përmes kësaj  drite jeshile, e cila pritet me kërshëri dhe me shumë vullnet nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga gjithë konteksti politik i vendit, do të inkurajohen të gjitha forcat reformiste në vend, do të inkurajohen reformat europiane të Shqipërisë dhe jemi shumë shpresë-plotë që vendet anëtare të BE do ta njohin do ta vlerësojnë këtë progres të madh, por edhe aspiratën e jashtëzakonshme që ka Shqipëria si një vend europian.

Unë me qëllim përmenda termin Europa Juglindore, kur përmenda rajonin dhe nuk thashë Ballkani për të thënë që Europa është në gjenezën tonë kombëtare, historike e të tjera me radhë.

Afrimin në BE ne e konsiderojmë, si një kthim në shtëpi, një hap të natyrshëm të kthimit tonë në shtëpi. Atje ku e kemi vendin tonë, qoftë në pikëpamje historike, qoftë në pikëpamje të së ardhmes sonë.

I nderuar Komisioner dhe i dashur mik, edhe njëherë ju falënderoj shumë për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë në afrimin e rajonit tonë dhe të Shqipërisë në veçanti, drejt BE, dhe shpresoj që ju do të mbeteni sërish një zë i fuqishëm në mbështetje të këtij integrimi të Europës Juglindore dhe të Shqipërisë si pjesë e kësaj Europe Juglindore, drejt familjes së madhe europiane. Faleminderit shumë!

Pyetje: Zoti Ministër, e dimë cilat janë ndjeshmëritë e Holandës në lidhje me krimin e organizuar dhe të Francës me azilkërkuesit. Cilat janë hapat konkrete që ka marrë, sidomos Ministria juaj, në mënyrë që të qetësohen sadopak shqetësimet që kanë këto dy vende, para se të merret një vendim i mundshëm me 15 tetor?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që ne jemi të qartë lidhur me sensibilitetet e disa vendeve anëtare sa i përket progresit të Shqipërisë në drejtim të plotësimit të kritereve për hapjen e negociatave ku Holanda dhe Franca mbeten vende të cilat kanë ende pyetje të pasqaruara ose shqetësime të pa-adresuara. Ne kemi patur dialog intensiv me të dyja vendet për të mundësuar sqarimin më të mirë të situatës, për arsye se për fat të keq, sa herë që bëhet fjalë për Shqipërinë, ka një diferencë të madhe midis realitetit objektiv në terren dhe perceptimit në kryeqytetet europiane dhe diferenca është e konsiderueshme.

Kjo diferencë midis realitetit objektiv dhe perceptimit vjen për shumë arsye, një ndër të cilat është edhe puna për të bërë sqarimet e duhura, jeni edhe ju ndoshta pjesë e këtij kontributi në këtë diferencë midis perceptimit dhe realitetit, – jo ju si person, por mediat në përgjithësi.

Unë dua t’ju them një gjë të cilën e kam ndarë edhe me kolegun tim holandez që lidhet me pjesëmarrjen e shqiptarëve në krime në Holandë, e cila është, në pikëpamje statistikore, në kufijtë e të papërfillshmes, për arsye se shqiptarët përfaqësojnë në vlerën e përgjithshme të kriminalitetit në Holandë një numër i cili është 0,02% e së tërës. Pra krimi i ushtruar nga shqiptarët në Holandë është shumë më poshtë sesa krimi i ushtruar nga qytetarë të vendeve të tjera anëtarë të BE, në Holandë. Pra edhe më poshtë sesa krimit të ushtruar nga qytetarë të vendeve europiane që janë më të vogla sesa Shqipëria.

Dua të them se nuk është se bëhet fjalë për një përmasë të madhe të kriminalitetit shqiptar në Holandë, por besoj se është me shumë rëndësi të theksojmë që perceptimi i tyre është ai që është. Pra një perceptim që e zmadhon realitetin disa-fish. Jemi përpjekur ta sqarojmë, por më tepër sesa ta sqarojmë këtë situatë, jemi përpjekur të rrisim me partnerët tanë holandezë, në mënyrë që për çdo rast, – sepse edhe një rast i vetëm i një pjesëtari të krimit të organizuar, është i mjaftueshëm për t’u shqetësuar. Pastaj nuk po flasim për një, por për dhjetëra raste që janë dhe po përpiqemi për të ndërtuar mekanizma bashkëpunimi me qëllim që të adresojmë së bashku këtë krim, i cili në fakt kryhet në Holandë dhe që juridikisht është përgjegjësi e autoriteteve holandeze të merren me krimin që ushtrohet në vendin e tyre.

Por ne si vend ndiejmë përgjegjësi për qytetarët shqiptarë, për mbajtësit e pasaportës shqiptare, do thoja më mirë, se më duket e tepërt ta përdor termin qytetar shqiptar, për ata që bëjnë krime në një vend të BE, – për mbajtësit e pasaportës shqiptare, ne jemi shumë të interesuar për të bashkëpunuar.

Kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë përditë mekanizma dhe instrumente bashkëpunimi për të intensifikuar hetimet e përbashkëta, dhe kemi patur sukses.

Jam shumë i sigurt që shumë shpejt ne do kemi akoma më shumë rezultate dhe besoj që të gjitha pikëpyetjet holandeze do të gjejnë një sqarim shumë të shpejtë. E kam pasur mundësinë të diskutoj dhe me Ministrin për Drejtësi dhe Siguri z.Grapperhaus. Sa i përket Francës, unë mund të them që në përgjithësi numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka njohur një rënie drastike, të rregullt që nga viti 2015-2016 kur pati një shpërthim, kur shumë shqiptarë ju bashkuan korridorit ballkanik të refugjatëve që mësynë drejt Europës, por që nga ajo ditë ka rënie të vazhdueshme.

Në të gjithë zonën Shengen numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është në rënie të përditshme, me një anomali, e cila lidhet me Francën.

Ndërkohë që në të gjithë zonën Shengen numri bie në mënyrë të vazhdueshme, eksponenciale, në Francë kemi patur një rritje të lehtë, e cila lidhet me shumë faktorë, por ndër të tjera lidhet edhe me faktin që Franca aplikon politika të ndryshme nga vendet e tjera ku numrat bien.

Në diskutimin që kam patur me kolegun francez, të cilin e presim së shpejti edhe në Shqipëri, kemi identifikuar se ku qëndron problematika dhe po ndërtojmë mekanizma, instrumente për ta adresuar. Por jemi shumë të sigurt që tendenca  e përgjithshme e rënies së numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria në Europë do të njihet shpejt edhe në Francë, sepse në zonën Shengen, thashë, bie. Përjashtim Francës që është anomali, të cilën do ta zgjidhim dhe po punojmë për ta zgjidhur. Faleminderit!

Related posts

Të dënuar të sëmurë, ligji i ri i “dënon” të vdesin në burg

dritatv

Basha: 4 shtyllat e alternatives së PD do të kthejnë shpresën dhe besimin

dritatv

Ndjekje penale për protestat, paditen 34 deputetë dhe 60 protestues

dritatv

Leave a Comment