Lidhje të shkurtra: Sindikatat vjelin miliona nga ‘kontratat kolektive’ me shtetin

Sindikatat shqiptare i kanë kthyer kontratat kolektive në një mjet për të mbledhur kuotat e anëtarësisë direkt nga institucionet buxhetore dhe kompanitë publike, duke u kthyer në organizata formale që promovojnë interesat e punëdhënësve më shumë se të drejtat e punëtorëve.

Ornela Manjani – BIRN

Në vitin 2018, Elson Jaçaj, infermier pavioni në Spitalit Polivalent në Tiranë u shkarkua nga detyra për shkak të një interviste në media ku ankohej për kushtet e punës. Urdhri i shkarkimit i erdhi nga drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me argumentin se ai kishte thyer Kodin e Etikës dhe kishte bërë komente të papërshtatshme për institucionin.

Infermieri 36-vjeçar iu drejtua për ndihmë sindikatës ku ishte anëtarësuar vite më parë, por kjo e fundit iu përgjigj se nuk mund të përballej me shtetin.

Jaçaj, i cili është njëherazi kryetar i Shoqatës së Infermierëve i tha BIRN se sindikata nuk i përfaqësonte shqetësimet e tyre, pavarësisht se mblidhte çdo muaj kuotat dhe u mbante infermierëve 100 lekë nga paga direkt nga borderotë e QSUT-së.

“Pjesa më e madhe e infermierëve në QSUT nuk dinë që u mbahen kuota, pasi nga rroga mbahen edhe kuotat për Urdhrin e Infermierit edhe kuotat për sindikatën, pastaj janë komisionet që mban banka edhe nuk shkon njeri të interesohet pse i mungojnë 100 lekë,” tha ai.

Marrëdhënia e infermierëve të QSUT-së me sindikatën e tyre nuk është e pazakontë. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se një listë e gjatë institucionesh shtetërore dhe kompanish publike u mbajnë çdo muaj punonjësve të tyre nga paga kuota anëtarësimi në sindikata, për të cilat punonjësit nuk kanë dhënë miratimin dhe shpeshherë as që kanë dijeni.

Vetëm nga institucionet buxhetore të arsimit, shëndetësisë, policisë dhe burgjeve, sindikatat kanë mbledhur gjatë 4 viteve të fundit dhjetra miliona lekë në kontribute; ndërkohë që pagesa të majme të bazuara në kontratat kolektive bëhen edhe nga kompanitë publike, si OSHEE, KESH dhe Posta Shqiptare.

Këto lloj kontratash, sipas ekspertëve kanë krijuar një rrjet interesash financiare midis punëdhënësve të sektorit publik dhe sindikatave, duke e bërë të pamundur përfaqësimin e interesave të punëmarrësve në rastet e shkarkimeve arbitrare nga puna.

“Këtu ndodh që punëdhënësi mban kuotat nga paga dhe ia kalon sindikatës, duke u kthyer në një agjent të sindikatës për mbledhjen e kuotave,” tha Edison Hoxha, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejta në Punë.

“Duke u lidhur me punëdhënësin, sindikata merr kuotat për të gjithë të punësuarit pavarësisht se punonjësi nuk ka shprehur pëlqimin për të qenë pjesë e sindikatës dhe i merr kuotat edhe pa dijeninë e punëmarrësit. Madje ka edhe raste kur kuota mbahet me detyrim, sepse i kërcënojnë me vendin e punës,” shtoi ai.

Pyetjeve të BIRN në lidhje me kontratat kolektive dhe mbledhjen e kuotizacioneve iu përgjigjën vetëm Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, të cilët thanë se kuotizacionet mblidhen me miratimin me shkrim të punonjësve.

“Polica e Shtetit ka 12,000 punonjës, të cilët  mund të bëhen anëtarë të sindikatës pasi të kenë deklaruar me shkrim pëlqimin dhe të kenë pranuar derdhjen e kuotave, të cilat mbahen në bazë të nenit 117 të kodit të punës, ku parashikohet që kuotat të mbahen çdo muaj nga paga,” tha kreu i Sindikatës së Policisë së Shtetit, Satedin Fishta, duke shtuar se drejtuesit e policisë “kanë vendosur në bazë të kodit civil që të mos mbajnë kuotat nga paga dhe t’i kalojnë për llogari të sindikatës”.

“Ne kemi bërë një ankimim në gjykatë [dhe] kemi fituar shkallën e parë dhe tani po presim vendimin e apelit. Pra prej dy vitesh ne nuk marrim asnjë kuotë nga anëtarët tanë,” shpjegoi Fishta.

Edhe kreu i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Reshat Ibrahimi pohoi se rreth 400 anëtarë të saj e kishin miratuar me shkrim mbledhjen e kuotave sindikale.

“Kuotat mblidhen në bazë të nenit 117 pika 2 të kodit të punës dhe shpenzohen për aktivitete të cilat miratohen nga Këshilli Kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të artistëve,” tha ai.  “Kuotacioni është 100 lekë në muaj, edhe vetë anëtarët e shoqatës shprehen se është një vlerë shumë e vogël, por me ketë vlerë do vijojmë të mbrojmë të drejtat e artistëve,” shtoi Ibrahimi.

Miliona nga buxheti i shtetit 

Gjatë një interviste në televizionin italian “La 7” në vitin 2015, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sipërmarrësve italianë që të investonin në Shqipëri për shkak se taksat janë të ulëta dhe nuk ka sindikata.

“Për të qenë i sinqertë ne nuk ia ndjejmë mungesën,” i tha Rama gazetares Daria Bignardi, e cila u çudit që një pohim i tillë vinte nga kryetari i një partie të majtë.

Edhe pse Edi Rama deklaron në media të huaja se në Shqipëri nuk ka sindikata, kjo nuk e ka ndaluar qeverinë e tij që t’u paguajë gjatë 4 viteve të fundit enteve sindikale të regjistruara në vend dhjetëra milionë lekë nga buxheti i shtetit, të cilat u mbahen punëmarrësve direkt nga paga.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN përmes databazës së pagesave të thesarit tregojnë se buxheti i shtetit u pagoi 15 federatave, konfederatave dhe sindikatave të pavaruara 71.4 milionë lekë nga viti 2016 deri në vitin 2019.

Përfituesit më të mëdhenj ishin dy sindikatat e arsimit, të cilat në bazë të kontratës kolektive të lidhur me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës gjatë këtyre viteve kanë arkëtuar nga buxheti i shtetit 44.5 milionë lekë. Kjo shumë është mbajtur nga pagat e mësuesve dhe edukatorëve nga drejtoritë dhe zyrat arsimore në të gjithë vendin.

Mësues në zona të ndryshme të pyetur nga BIRN u shprehën se kishin dijeni për ekzistencën e sindikatave, por ishin të paqartë për kuotat që u mbaheshin nga rroga.

“Jam në dijeni se ka sindikatë, madje në vitin 2005 u organizua një protestë, ku u pezullua mësimi për 2 ditë. Mësuesit kërkonin rritje page, atëherë u krijua një sindikatë dhe paguam disa kohë kuota,” i tha BIRN një mësues nga Dibra, i cili preferoi të mbetet anonim.

“Më pas paga hidhej në bankë dhe nuk di më nëse mbahen kuota apo jo dhe sa, sepse asnjëherë nuk na vihet borderoja në dispozicion. Nuk di kush është tani kryetar sindikate për mësuesit, por di që ka një që operon,” shtoi ai.

Ngjashëm me arsimin, edhe sektori i sigurisë mbulohet nga dy sindikata, të cilat kanë përfituar gjithashtu transferta të majme nga buxheti i shtetit. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka përfituar 4.5 milionë lekë nga vitit 2016 deri në vitin 2019, ndërsa Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë ka përfituar 6.8 milionë lekë nga institucionet e vuajtjes së dënimit.

Ngjashëm me mësuesit, edhe policë të intervistuar nga BIRN deklaruan se nuk kishin dijeni që mbaheshin para nga rroga për kuotat e sindikatës.

“Unë nuk jam anëtar sindikate, di që ka sindikatë për policët, por nuk di nëse është për gjithë Shqipërinë e njëjta apo ka disa,” tha një polic nga Bulqiza, që kërkoi të mbetej anonim.

“Nuk di nëse më mbahet kuota nga paga. Po në rast se bëhet fjalë për 100 ose 200 lekë në muaj, as nuk e vëmë re se një herë kemi orë shtesë, një herë s’kemi,” shtoi ai.

Ndryshe nga sektorët e arsimit dhe sigurisë, sektori shëndetësor dominohet nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e udhëhequr nga Kol Nikollaj, e cila ka përfituar gjatë 4 viteve të fundit 9.3 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Në këtë sektor operon dhe Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë, por kjo e fundit ka pasur një numër minimal kuotizacionesh gjatë 4 viteve të fundit.

“Në të gjithë vendin janë rreth 14 mijë infermierë. Ka më shumë se një sindikatë për infermierët. Dhe me dijeninë e tyre ose jo, të gjithë janë anëtarë të një sindikate,” tha Elson Jaçaj.

“Kuotat mbahen në shkelje të ligjit, anëtari i sindikatës duhet të bëjë një deklarim me shkrim që është dakord t’i mbahet kuota dhe jo ajo të zbritet nga paga pa dijeninë e tij,” shtoi ai.

Marrëdhënia e ngushtë midis shtetit dhe sindikatave shihet si kundërproduktive për interesat e punëmarrësve nga ekspertët e fushës.

“Punonjësit duhet të paguajnë kuotacionin pranë sindikatës dhe jo t’u mbahet nga paga,” tha Edison Hoxha nga Qendra për të Drejta në Punë.

“Në shumë raste, sindikatat bëjnë lidhje të shkurtra me punëdhënësin për të frikësuar punonjësit, duke i kërcënuar edhe me vendin e punës,” shtoi ai.

Miliona edhe nga kompanitë publike

Presidenti i Konfederatave të Sindikatave të Shqipërise, Kolë Nikollaj, gjatë një proteste përpara Kryeministrisë | Foto : LSA

Kontrata kolektive rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësit dhe punëmarrësit përtej asaj që parashikohet nga ligji dhe përmban specifikime që i vijnë në ndihmë punonjësve për sigurinë në vendin e punës, kushtet e punës, transportin dhe përcaktime të tjera në varësi të profesionit.

Kontratat kolektive ndahen në dy lloje: në nivel ndërmarrjeje dhe në nivel profesionesh. Kodi i Punës rregullon në përgjithësi marrëdhëniet e punës, por kontratat kolektive specifikojnë mbështetjen e punonjësve në bazë sektori, pasi jo të gjithë specifikat mund të përfshihen në Kodin e Punës.

Kontratat kolektive në shoqëritë tregtare me kapital shtetëror rregullohen njësoj si në shoqëritë tregtare me kapital privat. Ato lidhen me punëdhënësin, i cili në rastet e shoqërive tregtare aksionere me kapital shtetëror është vetëm një.

Ngjashëm me sektorin buxhetor, sindikatat përfitojnë çdo vit shuma të konsiderueshme nga kontratat me kompani publike si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, OSHEE dhe Posta Shqiptare.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se në bazë të kontratës kolektive të nënshkruar në tetor 2019 me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë – e udhëhequr nga Taf Koleci, çdo punonjësi të KESH i mbahen 200 lekë në muaj si kuotacion për sindikatën.

KESH njoftoi se gjatë katër viteve të fundit kishte prishur 55 kontrata pune, nga të cilat 22 raste i janë drejtuar gjykatës për dëmshpërblim. Korporata theksoi se punonjësit që i janë drejtuar gjykatës, nuk janë mbështetur nga sindikata.

“Nuk është evidentuar përfaqësim nga sindikata e ish-punonjësve që i janë drejtuar gjykatës,” tha kompania.

Ngjashëm me KESH-in, edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka një kontratë me Federatën Sindikale të Punonjësve të Industrisë. OSHEE u mban një kuotacion prej 200 lekësh çdo muaj 5200 punonjësve të saj. Ndërsa Posta Shqiptare, në një përgjigje me shkrim për BIRN tha se “kuotacioni për anëtarësimin në sindikatë të punonjësve të Postës Shqiptare kryhet sipas nenit 17 të kontratës kolektive të punës.”

“Punëmarrësi me vullnetin e tij të lirë, së bashku me sindikatën e punonjësve përcakton mënyrën e pagesës si dhe vlerën e kuotacionit sindikal nëpërmjet deklaratave me shkrim të palëve të sipërpërmendura,” deklaroi Posta Shqiptare.

Edison Hoxha nga Qendra për të Drejta në Punë nënvizon se konotacionet e mbledhura nëpërmjet punëdhënësit janë vetëm gjysma e problemeve të sindikatave shqiptare, të cilat sipas tij nuk bëjnë transparencë edhe për shpenzimet e këtyre kuotacioneve ose të ardhurave të tjera.

“Sindikata duhet të jetë transparente në të gjitha vendimet që merr dhe për shpenzimet që kryen me kuotacionin që merr nga punonjësit,” tha Hoxha, duke shtuar se shpenzimet që deklarojnë sindikatat janë fiktive dhe kanë ngritur struktura të tilla që punonjësit nuk mund të kërkojnë llogari.

Sipas Hoxhës, në kontratat kolektive me ndërmarrjet shtetërorë që funksionojnë si shoqëri aksionere nuk ka transparencë, duke shtuar se llogaridhënia duhet të jetë periodike dhe anëtarët e sindikatës duhet të njoftohen për të ardhurat, madje të jenë pjesë e vendimmarrjes për mënyrën se si do të shpenzohen këto para.

“Sindikata ka më shumë lidhje me punëdhënësin se sa me punëmarrësin, të cilin e ka edhe anëtar të sindikatës,” tha ai, duke shtuar së në Shqipëri “organizimi i punonjësve në sindikata është formal dhe fiktiv”./Reporter.al/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi