LEXIME SEMIOTIKE TË NJË NARRATIVE ARTISTIKE! Nga: Durim Çaça për librin “Polakja” të Xhevat Mustafa

Romani “Polakja”, -nga Xhevat Mustafa.

Xhevat Mustafa është një emër tashmë i njohur në publicistikën politike, si analist, editorialist dhe komentues i politikës së ditës në Shqipëri, gjithnjë nga pozicioni besnik i së djathtës dhe, përgjithësisht, i idealistit të demokracisë, por gjithashtu i njohur edhe në shkrimin e letrarësisë që me romanin e parë “Zë i prerë”, botuar në vrullin e lëvizjes demokratike, më 1993.

Tre shenjime të narrativës romanore të Mustafës, ajo e teknikës realiste, e publicistikës kulturore dhe eseistikës sociologjike, modelojnë ngrehinën e veprës artistike në fjalë.

Falë një koncepti të thjeshtë realizmi letrar, i gjithë syzheti narrativ ngërthen një dramë të thjeshtë njerëzore e familjare, përmes boshteve të strukturës, -dy çifteve të dashuruarish, mes djemve shqiptarë, studentë të shkollës së marinës në Gdansk të Polonisë dhe një vajze e një gruaje të re polake, në fund të vite ’50 të shekullit XX, realitet artistik që shtrihet në një hapësirë gjeografike e politike mes dy shteteve komuniste të kohës, të Shqipërisë dhe Polonisë, deri në në ditët tona, të viteve 2000, të shoqërive të sotme demokratike të vendeve respektive.

E gjithë intensa dramatike e këtij rrëfimi jashtdiegjetik, (autori rrëfen nga jasht subjektit, ngjarjes, në vetën e tretë të së shkuarës), ndërthurur me atë ndërdiegjetik, (të rrëfyerit e fjalëve të dialogjeve sipas shkallës së fjalëpërfjalëshmërisë së riprodhimit të tyre, duke krijuar efektin e reales si dhe me përdorimin e kohës së tashme, si më e përshtatshmja për autorin, për t’u paraqitur si i jashtëm ndaj çdo realiteti historik), pra i gjithë dramaciteti narrativ romanor i veprës në fjalë, i një subjekti të thjeshtë përditshmërie të çdo vendi e kohe, pasioni dashuror i të rinjve shqiptarë e polakë, projektohet deri në tragjizëm, në horizontin e zymtë të diktaturës së komunizmit, në shtetet përkatës, që i ndan çiftet e të dashurve: Andonin nga Anna, në Poloni, për të ruajtur moralin e kalbur fals të familjes socialiste, ku Anna, që lind fëmijën e parë, një djalë me emrin Feliks, jo me bashkëshortin Marek, por me njeriun që dashuron, studentin shqiptar, duhet t’i nështrohet falsitetit të jetës së rrejshme të “lumturisë bashkëshortore familjare” të shoqërisë komuniste polake. Ndërsa dy të dashurit e tjerë, Janin dhe Jadvigën, i ndajnë në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit, duke e persekutuar vajzën e re polake që ka lënë atdheun e vet dhe që mbron dashurinë dhe dinjitetin e saj, prej një mostre dhe operativi të Sigurimit, Qemal Hanxharit, i cili, duke mos e shtënë dot në dorë për ta patur për të dashur, e burgos, gjoja si agjente, në burgun e mënershëm politik të Shqipërisë komuniste të kohës. Duke shtypur kështu, sistemet totalitare, çdo aspiratë lirie të cdo individi njerëzor për lumturi e dinjitet shoqëror!

Këtu qëndron dhe fuqia estetike e veprës, ndërthurja e pasioneve personale sentimentale më se të zakonshme e të natyrshme për çdo njeri e brezni njerëzore, me rendet politikë botërorë, komunizmin e utopisë çnjerëzore që bluajti dhe thërmoi miliona fate njerëzish, me demagogjinë politike, cinizmin shtetëror dhe krimin human, pikërisht në emër të lumturisë së tyre dhe të një jetë re, të lirë, me dinjitet e pa shtypje.

Natyrisht, një rrëfim tekstor stilistik mund të organizohet edhe në formën artistike të një eseje psikologjike si “Labirinti i vetmisë” i Paz-it apo “Rënia” e Kamysë, vepra të modernitetit letrar që na vijnë këtë çast në mendje, edhe në formën e një publicistike përshkruese dhe reportazhi kulturor si “Jehona e kujtesës” e shkrimtarit të sotëm amerikan Riçard Pauers, apo në teknikën e njohur të realizmit social të Drajzer-it, Gollsuorthit, Pazolinit, të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të kaluar, që mbetet e dashur për lexuesin masiv edhe në shekullin tonë.

Dihet që proza është një medium i tejdukshëm, që ritmi i saj semantik i kuptimit është ai i formës së përdorur për shkrimin diskursiv e pohues e që, në rastin tonë, paraqet një cilësi stili nga zgjedhja prej autorit e subjekt-materjes. Ndaj, në këtë prozë romanore që shqyrtojmë, kthjelltësia e saj neutrale qëndron larg monotonisë narrative në paraqitjen e subjekt-çështjes së vet, qartësisht, ashu si një gotë argjendi në një vitrinë marketi, prozë që shpërfaqet vetvetiu si një ndërmjetës i drejtprdrejtë e që na bën të vetëdijshëm për stilin e shenjuar ose idiosinkroninë rrëfimore të strukturës verbale.

Romani, si zhanër i prozës identifikohet me anë të formës së fiksionit dhe, te “Polakja”, me shpërfaqjen e tij fiksionale, na relevohet qartësia me të cilën dalin në jetë pamjet, zërat dhe kundërmimet detare të Durrësit dhe Gdanskit, përmes portretizimit të tipave protagonistë dhe natyrshmërisë së dialogut, përmes zbulimit të karaktereve dhe rastësisë, nëpërmjet përdorimit hulumtues të teknikës së rrjedhës të ndërdijes, si në teknikë, ashu dhe në subjekt-temë, si një prirje e shkrimit narrativ intelektual.

Duke përdorur epifaninë, me të cilën nis dhe mbaron romani (përshkëndimin e një kujtimi të papritur në mendjen e personazhit, kryesor, Andonit, prej një fotoje të largët në kohë, që sheh befas në komonë e tij, që i risjell përvojën dhe përjetimin e fshehur prej vitesh në kujtesë, të cilën e nxjerr në sipërfaqe të jetës aktuale që jeton, me të gjithë hollësitë dhe emocionet që lidhen me të, foto me të cilën do të japë dhe shpirt, në përmbyllje të kësaj proze të gjatë), si dhe transpozimin, ( zhvendosjen në kohë dhe hapësirë), nga vitet 2000 të kohës sonë, në vitet ‘50 të shekullit të shkuar, dhe, nga Shqipëria në Poloni, nëpërmjet mbishtresimit të kujtimeve që paraqesin mbivendosjen e realiteteve historike qe përfshin jeta e protagonistit, shkrimtari-autor projekton fatalitetin dhe tragjizmin shoqëror të një kohe barbare moderne, por, herë-herë me një intensë emotive të sforcuar sipërfaqësore, që merr pamjen e një melodrame si, bie fjala, në epilogun e kësaj narrative. Një shenjim tjetër me rëndësi për nivelin e thellë të rrëfimit përbën antroponimi Anna, emri i së dashurës së Andonit, të cilin ia ka vënë vajzës së tij me bashkëshorten shqiptare, në formën shqipe Ana, duke shpërfaqur përmbushjen e vërtetë shpirtërore dhe sentimentale, gjatë gjithë jetës në Shqipëri, me të dashurën, gruan e largët polake, sa herë që thërret emrin e saj tek vajza, ndërkohë qe ka jetuar jetën formale me bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij, Lizën, në Shqipëri. Ashtu sikurse Anna në Poloni ka jetuar jetën formale bashkëshortore me Marekun në Poloni, ndërsa është çmallur me fëmijën e vogël, që pati si frut të dashurisë me studentin shqiptar, Andonin, duke u gëzuar me tiparet e të dashurit tek biri i vet
Ndërthurja e teknikave të ndryshme të rrëfimit letrar është fuqi shprehëse e ligjërimit të modernitetit të çdo kohe, siç përmendëm pak më parë, por ndërfutja mes stilemave të narrativës artistike, njëhershëm dhe ato të publicistikës dhe eseistikës, gjer në njësitë e vogla të frazës, dialogut dhe fjalisë, ka zbehur, herë-herë, koherencën estetike të tekstit dhe ka shpërbërë magjinë artistike të krijimit, ndërkohë që informacione historike, politike, kulturore për Poloninë dhe Shqipërinë e viteve tw mes-shekullit të 20-të, mund të “zbuloheshin” në mënyra të tjera artistike, (përmes një gazete që lexon personazhi, një programi radiofonik që dëgjon rastësisht, një afisheje propagandistike të kohës, një reklame publiciteti që i del parasysh befas aktorit- personazh, etj.). Po kështu dhe inkursionet sociologjike e psikologjike të protagonistëve, mund të jepeshin përmes “kronikave sociale”, meditimeve, ëndrrave, vegimeve në gjendjet e tyre të ankthit dhe shqetësimit të skajshëm personal, familjar, moral, shoqëror, politik, egzistencialist, etj., në suazën e përjetimit të dashurisë, urrejtjes, xhelozisë, dhembjes, këtyre aktantëve-shtytës e nxitës të veprimit që përbëjnë shenjime me rëndësi në ligjërimin fiksional, ku këto kategori abstrakte marrin vlerë në rrethanat dhe situatat njerëzore të përcaktuar nga pozicioni dhe investimi modal që realizojnë në nivelin narrativ.
Ja disa pasazhe: “Andoni nuk kishte guxuar as ta çonte ndërmend idenë e një krahasimi të portit të Gdanskit me portet e Durrësit dhe të Vlorës në Shqipëri. Ndërsa për nga sipërfaqja, nga volumi i kapaciteteve mbajtëse të anijeve, të ngarkim-shkarkimit, përpunimit dhe depozitimit të mallrave, të lëvizjes së njerëzve dhe të automjeteve gjatë 24-orëve, të riparimit dhe prodhimit të anijeve të të gjitha tonazheve, nga qindra deri në dhjetëra mijë tonelata, krahasimi do të nxirrte shumëfish më të larta këto porte polake” (fq.27). “Femrat polake, përgjithësisht, nuk i ndienin dhe nuk i përjetonin ato koncepte konservatore e patriarkale, paragjykime dhe kufizime, shumica, ligje të pashkruara, që ishin masivisht të pushtetshme vepruese e të ndjeshme tek bota femërore në Shqipëri”.(fq. 32). “Andoni kishte zgjedhur dhe po zbatonte me sukses strategjinë e afrimit me të dhe Anna e kuptoi se ai synonte të fitonte sa më shumë kohë gjatë takimeve mes tyre, duke e provokuar dhe nervozuar”. (f.32). “Ndiej dhe bëj 100% rolin dhe detyrën e nënës dhe bashkëshortes”, (f.93),”Të tre fëmijët kishin arritur të bëheshin familjarë të lumtur e të kishin siguruar për familjet e tyre një mirëqenie përtej standardit mesatar”,(f.275), etj., ku, siç shihet, në kontekstin stilistik, stilema të leksikut nuk përkojnë me letraritetin dhe janë të stileve të tjerë tekstorë funksionalë gjuhësorë.

E gjithë struktura diskursive e veprës letrare në fjalë, paraqitet me strukturën e thjeshtë klasike të narrativës realiste fiksionale, në vijë lineare, me digresione, thyerje të lehta, përmes kujtimeve të aktorëve -personazhë, pra, me strukturën që përbëhet nga komponenetët sintaksorë (aktorializimi, kohëzimi, hapësinorizimi, kundrim-qendërzimi si dhe aktualizimi, me elementët e tij: aktorial, kohor, hapësinor dhe komponenetët semantikë; tema, figura, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, tipet e këndvështrimit: perspektiv, njohës, vlerësues, emocional). Mes të cilave qëndron instanca e thënies (unë-këtu-tani), me çaktivizimin dhe aktivizimin kuptimor, nëpërmjet procesit të kalimit të kuptimit, të instancës së thënies, nga strukturat semio-narrative në ato diskursive dhe që përbën dhe rrugëtimin gjenerariv të kuptimit të tekstit, rrugëtim që ka në themel një apo më shumë kundërvënie semantike, të cilat përbëjnë universin kuptimor, rrugëtim që parashikon dhe të ketë vlera të të thella, në raport virtual kundërvënieje dhe kundërshtie, prej të cilave zhvillohen planet pasuese, ai narrativ dhe diskursiv, duke u shndërruar, në këtë mënyrë, semiotika e strukturës së një teksti dhe ligjërimi, nga një semiotikë shenjimi sintaksor dhe semantik, në një semiotikë komunikimi estetik.

Me romanin e tretë “Polakja”, pas romanit të parë dhe romanit tjetër “Mëkatet e vetmisë”, Mustafa paraqet një shenjim të sigurtë dhe mbresëlënës autorial, në artin tonë të sotëm të letraritetit, duke uruar kështu, për publicistin dhe prozatorin tonë të njohur, arritje të reja në gazetarinë politike dhe shkrimin e magjishëm artistik.

(Nga fjala në promovimin e veprës së shkrimtarit Xhevat Mustafa).

Kavajë, më 6 tetor 2018.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi