Lëvizja Vetëvendosje: Puna pa siguri e dinjitet është skllavëri

Sot një 45-vjeçar humbi jetën në vendin e punës. Ai ishte duke punuar në një objekt nga ku kishte rënë në tokë. Pas kësaj, pati reagime të shumta.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ky problem tani është bërë tejet shqetësues në vendin tonë.

“Edhe një punëtor sot ka humbur jetën. Një 45-vjeçar në lagjen Arbëria ka rënë nga lartësitë e ndërtesës në të cilën punonte dhe ka gjetur vdekjen. Për vitin 2018, mediat kanë raportuar edhe 8 raste të tjera vdekjesh në vendin e punës, pa përmendur këtu mbi 40 rastet e lëndimeve të regjistruara e shumë të tjera që nuk raportohen fare. Në vendin tonë vdekjet e punëtorëve në vendin e punës janë bërë të zakonshme, ndërsa, mbajtja e përgjegjësive dhe dënimet për fajtorët respektivë mbeten raste të rralla, aksidentale dhe jashtë të zakonshmes”, thuhet në një reagim të VV-së.

VV ka përmendur edhe problematikën e sektorit privat për të gjetur punëtorë. “Njerëzit në Kosovë pos që e kanë humbur shpesën për të gjetur një vend pune, ata janë para zgjedhjesh: nëse do punë do të punosh me orar të stërzgjatur, pa kontratë, pa siguri dhe me pagë të ulëta. Vetëm problemi i mbijetesës mund të shtyjë drejt kësaj pune. Kjo nuk është mundësi për zgjedhje. Derisa nuk ka përmirësim të kushteve, ky është kërcënim kolektiv. Jo vetëm papunësia, por edhe puna është një problem që kërkon zgjidhje. Qytetarët nuk duan vetëm punë, por punë me dinjitet”, thuhet tutje.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate thotë se vendi i punës në përgjithësi dhe punishtet e ndërtimit në veçanti po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një kantieri skllevërish. Ai ambient bëhet skllavërues kur:

Mungojnë inxhinierët e sigurisë, të cilët sigurohen që t’i përditësojnë punëtorët mbi rreziqet e mundshme dhe masat mbrojtëse përgjatë ditës. ;
Mungon kontrolli i shpeshtë dhe i rreptë nga inspektorët e punës, të cilët sigurohen që kompania po i kryen detyrat ndaj punëtorëve dhe shtetit;

Mungojnë masat e ashpra ligjore dhe ekzekutimi i tyre rigoroz ndaj kompanive punëdhënëse, çka do të siguronte që kompanitë t’i kryenin të gjitha detyrimet ndaj punëtorëve dhe shtetit.

“Retorika e punësimit nga pushteti në Kosovë, pa përmendur dinjitetin dhe sigurinë në vendin e punës, janë sikur të shesësh skllavërinë për politikë sociale punësimi. Kosova ka nevojë për një ekonomi zhvillimore që hap vende pune, por edhe për një shtet social që mban anën e punëtorëve për të siguruar drejtësi dhe barazi. Vetëm shteti social mund të sigurohet që punëtori të gëzojë mirëqenie dhe të mos bie në statusin e skllavit”, përfundon reagimi i VV-së./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi