LDK-ja nuk i jep VV-së nënshkrimet për t’u hetuar SHIK-u

Edhe një dekadë pas shuarjes, Shërbimi Informativ i Kosovës dhe puna që kreu, vazhdon të mbetet mister jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë institucionet e shtetit.

Është hera e tretë që Vetëvendosje po tenton të mbledhë nënshkrimet e duhura që t’i heqë dilemat rreth këtij organizmi, raporton KTV.

Vetëvendosjes synon që t’i gjejë përgjigjet, se cila ka qenë baza ligjore e veprimtarisë së SHIK-ut, cilat ishin procedurat dhe mënyrat e mbledhjes, klasifikimit dhe përdorimit të informacionit, si janë financuar aktivitetet e punonjësve të SHIK-ut, kujt i kanë dhënë përgjegjësi dhe kujt i kanë raportuar krerët e tij dhe ku janë arkivuar dokumentet e tyre.

Këtë javë, edhe zyrtarisht VV-ja u ka dërguar shkresa 3 partive parlamentare, LDK-së, AAK-së dhe NISMËS, për të marrë mbështetje në nismën e cila tashmë ka 31 nënshkrime.

Por, LDK-ja thotë se nuk ka logjikë të kërkohet hetim parlamentar në kohën kur në krye të legjislativit ndodhet vetë ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se hetim do të mund të bëhet në legjislaturën e ardhshme, kur ata të jenë në pushtet e agjentët e SHIK-ut të mos kenë më role udhëheqëse në vend.

Kohavision ka provuar të marrë një qëndrim nga AAK-ja nëse do ta mbështesë nismën e Vetëvendosjes për hetimin e SHIK-ut, por shefi i deputetëve të tyre, Ahmet Isufi, ka zgjedhur të heshtë.

Por, Vetëvendosje thotë se nuk do të dorëzohet dhe nëse nuk arrin të sigurojë edhe 9 nënshkrimet e duhura, atëherë do të provojnë me propozim parlamentar, veçse për këtë formë, u duhet përkrahja e shumicës së thjeshtë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi