Lakror me lakra të egra, ja receta pranverore!

Për këtë lakror jam frymëzuar nga lakrori tradicional i Korçës, me dy petë, por e kam ndryshuar e sajuar sipas fantazisë sime.

Përbërësit e recetës time:
600 gr miell
2-3 lugë gjelle vaj ulliri
150 ml ujë i ngrohtë
200 ml kos
1 lugë e vogel kafeje sode buke
1 lugë e vogël kafeje maja buke pluhur
1 lugë çaji kripe
gjalpë për pjekje
Për lyerjen sipër
1 të verdhe veze
1 lugë qumësht

Për mbushjen:

Lakra të egra të përziera rreth 800 gr (unë kisha lulëkuqe, qumështore, pak labot, nena, pak lëpjetë, rrepice, shtrapull, pak hither)200 gr ajke qumështi
4 qepë të njoma
1 tufë kopër
100 gr djathë të bardhë
3 lugë vaj ulliri
kripë

Përgatitja:
Me të gjithë përbërësit zëmë brumin. Në fillim përziejmë të gjithë përbërësit e thatë. Në një tas përziejmë të gjithë përbërësit e lëngshëm. Brumin e zëmë jo shumë të fortë por as të butë fare, nëse na del i ujshëm i shtojmë pak miell, nëse na del i fortë i shtojmë pak ujë të vakët dhe e punojme mirë të përfitojmë një brum elastik. Brumin e lëmë në qetësi të mbuluar me qese plastike.
Ndërkohë merremi me lakrat e egra.
I qërojmë dhe i pastrojmë mirë një nga një, pastaj i lajmë me ujë të bollshëm disa herë, derisa uji të dalë i pastër.
Në një tenxhere të madhe vëmë ujin të marrë valë, hedhim aty 1 lugë gjelle kripë, shtojmë lakrat dhe i lëmë të ziejnë rreth 2-3 minuta. Pastaj i kullojmë dhe i shpëlajmë në ujë të ftohtë derisa të ftohen plotësisht dhe i kullojmë mirë në një kullesë. Në një dërrasë kuzhine i grijmë imët lakrat me një thikë dhe i hedhim në një tas të madh. Aty shtojmë qepët e njoma të grirë imët, koprën, ajkën, djathin, vajin e ullirit dhe kripën dhe i përziejmë me një lugë.
Marrim brumin dhe e ndajmë në tri pjesë të barabarta. Njërën pjesë e ndajmë përsëri edhe në dy pjesë të tjera pra gjithesej kemi 4 pjesë dy më të mëdha dhe dy të vogla. I punojmë të gjitha, i japim formën e një topi dhe i mbulojmë përsëri për t’i lënë të pushojnë.
Marrim një tepsi me diameter 35-40 cm, e lyejmë me gjalpë ose shtrojmë një letër pjekëse.
Hapim topin e parë në tavolinën e punës me diametër sa tepsia dhe e shtrojmë në tepsi.
Hapim njërin prej topave të vegjël për se gjati dhe e presim në shirita nga të dyja anët. Në mes hedhim lakra të egra dhe bëjmë gërshetin duke i mbledhur bukur. Kështu veprojmë edhe me topin tjetër të vogël të brumit.
Të dy gërshetat i vendosim anash.
Mbi petën e parë hedhim mbushjen e mbetur e hapim dhe e sheshojmë me një lugë.
Me topin tjetër të brumit hapim një petë të madhe rreth 40 cm.
Këtë petë e presim në shirita dhe me shiritat mbulojmë gjithë siperfaqen ku kemi hedhur mbushjen.
Me pjesët e mbetura unë bëra ca gjethe në formën e gjetheve të lulëkuqes dhe ca petale si lulëkuqja dhe i shpërndava mbi shiritat e brumit, sipas shijes sime. Ju mund ta beni si t‘ju pëlqejë.
Të gjithë sipërfaqen e lyeva me të verdhën e vezës të përzier me 1 lugë qumësht, me një furçë kuzhine.
Spërkas me ca copa gjalpi sipërfaqen dhe e vë piten të piqet rreth 35-40 minuta në 200 gradë.living.al

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi