Kuvendi i Shqipërisë dhe UN Women memorandum bashkëpunimi

Kuvendi i Shqipërisë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me UN Women për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në Shqipëri. Memorandumi u firmos gjatë ditës së sotme nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe përfaqësuesi i UN Women (Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave) në Shqipëri, Giuseppe Belsito.

Nënshkrimi i këtij memorandumi bazohet në bashkëpunimin ekzistues dhe do të përqendrohet në zbatimin e detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për barazinë gjinore dhe eliminimin e dhunës kundër grave, theksohet në njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kryeparlamentari Ruçi gjatë ceremonisë së nënshkrimit tha se gratë në Shqipëri kanë siguruar një përfaqësim dinjitoz në institucionet politike. Sipas tij angazhimi i tyre duhet dhe mund të jetë edhe më i madh, duke marrë shembull nga qarku i Fierit dhe i Tiranës, të cilët kanë përfaqësimin më të lartë të grave e vajzave në Kuvend.

“Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nuk janë vetëm çështje e grave, por çështje e të gjithë shoqërisë. Tashmë ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të heqë dorë nga trajtimi i çështjeve politike, ekonomike, shoqërore dhe të vendimmarrjes si çështje mashkullore. Po kalojmë drejt një shoqërie solidare, ku barazia gjinore synohet të jetë një element i barazisë dhe drejtësisë sociale. Ne duhet të luftojmë për barazinë dhe drejtësinë sociale për gratë dhe vajzat, por nuk duhet të harrojmë se objektivi i parë për këtë është barazia e tyre në treg dhe rritja e fuqisë së tregut dhe fuqisë ekonomike”, është shprehur Ruçi.

Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Giuseppe Belsito vlerësoi angazhimin e Parlamentit të Shqipërisë në forcimin e pozitës së gruas në të gjitha fushat. “Duke punuar së bashku me Parlamentin mund të arrijmë rezultate më të mëdha dhe të kemi ndikim në jetën e grave dhe vajzave “, u shpreh Belsito.

Me anë të këtij memorandumi, sipas Kuvendit të Shqipërisë, të dy palët bien dakord të punojnë për të promovuar zbatimin e detyrimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare, me qëllim që gratë dhe burrat të kenë mundësi të barabarta, për një shoqëri pa dhunë dhe diskriminim. Gjithashtu do të vijojë mbështetja për Aleancën e Grave Parlamentare dhe nënkomisionin e Kuvendit mbi “Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi