KTHIM/ Si u bënë vullkani dhe uria shkaktarë të zbulimit të biçikletës!

Një shpërthim vullkani në malin Tabora në Indonezi është arsyeja e idesë gjeniale dhe ekonomike të transportit – biçikletës.

Jeni të habitur? Jo më pas këtij sqarimi.

Në prill të vitit 1815, u pa vullkani më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë – ai që përfshiu rajonin Sumbava të Indonezisë së sotme.

Shpërthimi i tij shkaktoi shumë pasoja njerëzore dhe ndryshime ekstreme të klimës në mbarë botën. Pas dy vitesh, dështuan të mbjellat dhe të korrat, dhe viti 1816 u quajt “viti pa verë”.

Në Evropë, për shumë vite vazhduan “të korrat pa bereqet”, ku depot e misrit nuk mjaftuan për të parandaluar vdekjet nga uria.

Përveç njerëzve, e pësuan edhe kafshët. Një numër i madh i kuajve në mbarë Evropën ngordhën, duke lënë njerëzimin pa kafshën që u kishte kryer aq shumë punë.

E nga nevoja lind dhe ideja.

Zbuluesi gjerman Karl von Drais sfidoi veten në përpjekje për të zëvendësuar kalin, dhe për të shpikur një mjet transportues. Në vitin 1817, ai prezantoi “Die Laufmaschine”, apo siç do të njihej më pas në gjithë botën – biçikletën.

Më 12 qershor, ai morri një rrugë 8 kilometërshe me biçikletë nga qyteti Mannheim drejt Schwetzinger Relaishaus.

Tani, biçikleta ka më shumë se 200 vjet, dhe për kaq gjatë, ajo i ka shërbyer njerëzimit për mjet udhëtimi, pa e ndotur natyrën dhe pa kërkuar ndonjë karburant.

Ajo lindi nga nevoja e ndryshimeve klimatike atëherë kur ky koncept ishte i panjohur. Por tani, kur ndryshimet klimatike adresohen në nivelet më të larta të vendimmarrjes, biçikleta është ajo që mund të hyjë në ndihmë si pakkush tjetër.

Llogaritet se nëse secili prej nesh të bënte 12 kilometra në ditë me biçikletë në vend të transportuesve me karburant, niveli i emetimit të gazit do të ishte çështje jo më shqetësuese. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi