Kryeministri Haradinaj: Shëndetësia vazhdon të jetë prioritet i Qeverisë, mjekët janë heronj tanë!

Gjendja në sektorin e shëndetësisë ka ndryshuar dukshëm. Sot në shëndetësinë e Kosovës ka më shumë seriozitet, dinamikë të punës dhe rezultate.

Ky konstatim doli pas një takimi pune që kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj është njoftuar për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, për reformat në këtë sektorë të ndjeshëm, të cilat kanë për qëllim vendosjen e rendit dhe rregullit në shëndetësinë kosovare.

“Shëndetësia ka qenë tema e parë me prioritet që nga fillimi i punës tonë si qeveri. Falënderoj ministrin për marrjen me seriozitet të kësaj teme dhe kësisoj sot mund të konstatojmë se gjendja në sektorin shëndetësorë është ndryshe, ka më shumë seriozitet, dinamikë dhe rezultate ”, ka thënë kryeministri pas takimit me ministrin Ismaili.

Edhe në këtë vizitë, kryeministri Haradinaj i cilësoi mjekët heronj të Kosovës, duke thënë se atyre duhet t’u jepet dinjiteti, në radhë të parë profesional dhe njerëzor, por edhe material.

“Jemi bashkë në këtë proces edhe në rishikimin të buxhetit edhe në planifikim për vitin që vjen. Pra nuk do të ndalemi që të arrijmë rezultatin. Jam optimist se do ta arrijmë këtë dhe për këtë ju siguroj se do të qëndrojmë bashkë. Tani është koha t’i ecim punët”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe ministri Ismaili thanë se po bëhen punë serioze që të vendoset rregull në listën esenciale të barnave.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitën e kryeministrit e cilësoi si ditë të veçantë për Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë rast, ministri Ismaili tha se vizitat që bashkërisht me kryeministrin i ka bërë në QKUK dhe kjo vizitë në Ministri të Shëndetësisë, tregon se ky sektorë ka një vëmendje të veçantë nga qeveria.

“U botuam se do të bëjmë zgjidhje në sektorin e shëndetësisë, do të mbështesim punëtorët shëndetësor me ngritje të pagave, me një sistem më të mirë të menaxhimit, do të mbështesim edhe kuadrot, ashtu siç bëmë ditë më parë edhe me specializantët. Pra jemi duke bërë hapa gradual por të vendosur dhe me fokus që shëndetësia në Kosovë nën mandatin e kësaj qeverie të përmirësohet dukshëm nga ajo që kemi gjetur”, tha ministri Ismaili, duke falënderuar kryeministrin Haradinaj për angazhimin dhe përkrahjen që i ka dhënë këtij sektori.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj takoi edhe drejtorët e departamenteve të MSH-së dhe krerët e institucioneve vartëse të MSH-së, nga të cilët kërkoi besim dhe përkushtim në punën me të cilët janë ngarkuar, si pjesë e nismës së përbashkët për ta ndryshuar gjendjen në shëndetësi./Kosova Post/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi