Kryeministri Haradinaj: Është momenti i fundit që të gjithë të bëhemi bashkë për një ambient sa më të pastër

Qeveria është partner i të gjithë juve në procesin e nisur për një ambient sa më të pastër. Është e pamundur që aksioni për pastrimin e Kosovës të ketë sukses pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kryetarëve të komunave, nivelit qendror dhe atij lokal, organizatave dhe të gjithë atyre që e duan një Kosovë të pastër”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në tryezën me kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës, ku u diskutua për zhvillimet dhe planet në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe GIZ-i.

Ndonëse e iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, Kryeministri Haradinaj, tha se aksioni për pastrim është temë e të gjithë neve pa dallim, temë që duhet t’i bashkojë të gjitha nivelet e qeverisjes, por edhe gjithë qytetarët që jetojnë këtu.

“Janë dy dekada që Kosova ballafaqohet me problemet mjedisore, me theks të veçantë me ndotje dhe papastërti të mjedisit në të cilin jetojmë. Është momenti i fundit që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të reflektojmë për ta ndryshuar këtë gjendje”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se vetëm së bashku mund ta pastrojmë Kosovën.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria do t’i bashkohet idesë për dhënien e grantit për komunat që tregojnë sukses në pastrimin dhe ruajtjen e ambientit.

Kryeministri Haradinaj, tha se sfida e ambientit të pastër zgjidhet me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave,  duke theksuar po ashtu se pas aksionit për pastrimin e Kosovës, që do të zgjatë 3 muaj, do të fillojnë politikat  ndëshkuese për ata që hedhin mbeturina dhe që nuk respektojnë normat ligjore.

Kryeministri Haradinaj, informoi të pranishmit se në aksionin për pastrimin e Kosovës janë ftuar të gjithë mekanizmat, dhe është e pamundur që ky aksion të jetë i suksesshëm pa kontributin e kryetarëve të komunave.

“Ju siguroj që në fund, pas kësaj pune të mundimshme të gjithë do të jemi fitues”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se çdo sinjal pozitiv në Kosovë e përmirëson disponimin e qeverive të BE-së karshi Kosovës, por edhe për liberalizim të vizave.

Në këtë tryezë, folën edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, udhëheqësja e sektorit të menaxhimit të mbeturinave në kuadër të GIZ-it, Alexandra Linden , derisa kryetarët e komunave shprehën gatishmërinë e tyre që të jenë pjesë e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi