Krizë diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Kanadasë

 

Arabia Saudite ka ngrirë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Kanadanë pasi ka shpallur person të padëshirueshëm ambasadorin kanadez në Rijad, duke i dhënë edhe afat 24 orë për të braktisur vendin.

Deklaratat e bëra nga Kanadaja pas arrestimit të disa aktivistëve të të drejtave të njeriut nga autoritetet saudite të sigurisë kanë shkaktuar krizë diplomatike mes dy vendeve.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite, publikuar në agjencinë zyrtare SPA të vendit theksohet se ambasadori kanadez Dennis Horak në Rijad është shpallur person i padëshiruar dhe se ai duhet të largohet nga vendi brenda 24 orëve.

Në deklaratën ku theksohet se janë ngrirë marrëdhëniet tregtare dhe investimet me Kanadanë thuhet se vendimi në fjalë është marrë si reagim ndaj deklaratave për “lirimin e menjëhershëm të aktivistëve të arrestuar në Arabinë Saudite”, deklarata këto të bëra nga ministrja e jashtme kanadeze, Chrystia Freeland dhe ambasadori kanadez.

Po ashtu edhe ambasadori saudit në Ottawa, Najif bin Bender es-Sediri, është thërritur në vend me qëllim për konsultime.

“Qëndrimi i Kanadasë është një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe është në kundërshtim me rregullat më themelore të normave ndërkombëtare dhe ligjeve që qeverisin marrëdhëniet midis shteteve. Shprehja ‘për lirim të menjëhershëm’ e Kanadasë është një deklaratë shumë e papranueshme. Mbretëria e Arabisë Saudite gjatë gjithë historisë së mbretërisë së saj nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje. Mbretëria e Arabisë Saudite e sheh qëndrimin e Kanadasë si një sulm ndaj saj dhe kjo kërkon një qëndrim të vendosur që të pengojë këdo që përpiqet të minojë sovranitetin e saj”, thuhet në deklaratë.

Më 2 gusht, ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, në një postim nga Twitteri kishte bërë vlerësimin se “Jam thellësisht e shqetësuar që Semer Bedevi, motra e Raif Bedevi, u arrestua në Arabinë Saudite. Kanadaja në këtë kohë të vështirë qëndron së bashku me familjen Bedevi dhe ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm lirimin e menjëhershëm të Raif dhe Semer Bedevi”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi