Kreu i OKB-së, Guterres: Lufta e Ftohtë është rikthyer

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres gjatë një konference të përbashkët për media në Bruksel me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se “Lufta e Ftohtë është rikthyer”.

“Lufta e Ftohtë është rikthyer. Mirëpo, për dallim nga lufta e mëparshme e ftohtë, në ditët e sotme tanimë nuk janë në dispozicion mekanizmat e dialogut dhe të komunikimit”, tha Guterres.

Sipas tij, pas dhjetëra vitesh përsëri është hapur debati për armët kimike dhe bërthamore.

Guterres thotë se zhvillimet teknologjike si inxhinieria gjenetike dhe inteligjenca artificiale aq sa kanë dobi mund të kenë edhe dëme. Ai theksoi se në këtë periudhë është i rëndësishëm sundimi i ligjit dhe komunikimi në mes të institucioneve.

Kreu i OKB-së foli edhe për angazhimet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin, pas tërheqjes së presidentit amerikan Donald Trump nga ajo. Guterres uroi që hapat që do të ndërmerren nga BE-ja në marrëveshjen bërthamore të jenë të suksesshme.

Juncker tha se në takimin me Guterres-in me pjesëmarrjen edhe të përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kanë diskutuar çështje të shumta dhe se kanë mbështetur propozimet për reformë të cilat parashohin ndryshimin e OKB-së.

Ai tha se një nga pikat kryesore të axhendës është marrëveshja bërthamore me Iranin. Juncker tha se çështja do të diskutohet edhe me liderët e të gjitha shteteve anëtare në Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Sofje. Ai shtoi se në kuadër të kësaj, përveç marrëdhënieve me Iranin do të diskutohen edhe marrëdhëniet BE-SHBA.

Juncker theksoi se BE-ja së bashku me Iranin është e vendosur për “mbajtjen gjallë” të marrëveshjes bërthamore. “Dhënia fund e marrëveshjes bërthamore me Iranin shkakton një kërcënim të madh të sigurisë në botë dhe në rajon”, potencoi presidenti i KE-së.

Në vijim ai shtoi se BE-ja do t’i përdorë të gjitha mundësitë dhe burimet për të mbajtur në këmbë marrëveshjen bërthamore me Iranin. “Por, mos ta mashtrojmë veten. Të pranojmë se burimet tona janë të kufizuara”, tha Juncker./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi