Krasniqi shprehet kritik për gjuhën në Kuvend

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar edhe njëherë gjuhën me të cilën po shërbehen deputetët e organit më të lartë në vend. Ka thënë se “gjuha në foltoren e demokracisë duhet të jetë shembull i kulturës kombëtare për komunikim e marrëveshje”.

Në një artikull të tij ai ka zgjedhur që përmes mediave të tregojë se çfarë duhet të bëjnë edhe anëtarët e partisë, në të cilën vetë është kryetar i Këshillit Kombëtar.

“Shekulli XXI, për ne shqiptarët e Kosovës është shekulli i Lirisë, i Pavarësisë dhe i Demokracisë se tranzicionit. Është krejt e natyrshme, që populli ynë, për dy dekadat e lirisë, e një dekadë të pavarësisë të kërkojë që t’i kompensoi shekujt e demokracive perëndimore, por kjo nuk behej dot, e më pak mund të bëhet me përvojën e viteve të pas luftës”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar tutje se “ne duhet ta dimë se me politikat e deritashme nuk mund të hyjmë në sfidat e reja të shtet-ndërtimit, të zhvillimit, të shtetit ligjor, të shtetit me demokraci të zhvilluar e drejtësi sociale”.

“E më se paku këtë mund ta bëjmë me mentalitetin grabitës që i ka metastazuar të gjitha shtresat e organizuara të shoqërisë sonë, e sidomos atë të politikës, të medies, të drejtësisë e të biznesit dhe kulturën e komunikimit e sidomos të komunikimit me kundërshtarët politik. Kjo praktikë e keqe mund të ndryshohet me parti ideologjike, e veçmas me parti socialdemokrate, më parimeve e programe politike të qarta dhe të organizuar mirë. Ketë mundësi nuk e kishim para katër viteve, por, me përvojën e shpalimet politike e programore që i bëmë gjatë këtyre viteve, kemi krijuar mundësi të reja organizimi e veprimi”, ka shkruar Krasniqi.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate ka thënë se “realiteti ynë është duke e kërkuar një parti socialdemokrate”.

“Një parti rreth se cilës bashkohen segmentet e organizuar të shoqërisë sonë të orientimit të majtë, që pajtohen me parimet politike, ekonomike e sociale të Nismës Socialdemokrate. Me njerëzit që dinë, donë e kanë çka të investojnë për ndryshime shoqërore e solidaritet njerëzor. Me njerëz që i kërkon vendi e jo me ata që vrapojnë të grabisin atë që nuk u takon.

Nisma Socialdemokrate duhet të ndahet pa ekuivokë nga politikat e shurdhëta që nuk kanë sy e veshë t’i dëgjojë e t’i shikojë drejt në sy hallet dhe kërkesat e shqiptarëve, që s’ka guxim t’u flasin njerëzve hapur e çiltër”.Ai ka thënë se Nisma Socialdemokrate duhet të distancohet nga çdo formë e komunikimit që prodhon konflikte të shpifura me këdo, qofshin ata edhe kundërshtarët tanë më të mëdhenj politikë.

“Gjuha arrogante e komunikimit denigrues nuk i përulë kundërshtarët që u drejtohet sa i përulë dhe i përbuzë folësit e pakulturë e të pa edukatë, kudo ku ajo gjuhë shfaqet. Nga kjo farë gjuhë gjarpërinjsh ka për obligim të distancohet çdo njeri e sidomos njerëzit e politikës, të medies, të arsimit e të kulturës”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, sipas ish-kryeparlamentarit, duhet të jetë “foltore e demokracisë fisnike, shembull i kulturës kombëtare për komunikim e marrëveshje”.

“Gjuha që po përdoret me bollëk në shtëpinë e përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës, në Kuvendin e Kosovës dhe në medie, askujt nuk i sjell të mira, veç klikimeve nga të frustruarit”, ka thënë Krasniqi./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi