Kosovë, miratohet formimi i komisionit rreth pjesëtarëve të FETO-s

Kuvendi i Kosovës ka miratuar formimin e Komisionit Hetimor parlamentar i cili do të bëjë hetimin e rastit të deportimit nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq, pjesëtarë të organizatës terroriste FETO/PDY.

Në seancën plenare të sotme deputetët e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë kërkuar që formimi i Komisionit Hetimor të kalojë në votim, duke theksuar se në të kundërtën nuk do t’i votojnë ligjet e tjera.

Kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti, bëri të ditur se në sallë janë 80 deputetë duke kërkuar që ta votojnë formimin e komisionit në fjalë. Haliti njoftoi se formimi i Komisionit Hetimor në lidhje me ndriçimin e këtij rasti u miratua me 66 vota pro dhe 5 abstenime nga 71 deputetë që votuan.

Formimi i Komisionit Hetimor ishte inicuar nga grupi parlamentar të LDK-së, ndërsa me 4 prill rekomandimet lidhur me formimin e komisionit në fjalë ishin miratuar me 59 vota pro dhe një abstenim nga deputetët e kuvendit.

Në rekomandimet e aprovuara për formimin e komisionit thuhet se “kërkohet nga grupet parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në kryesinë e kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision”.

“Në funksion të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje, kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’i përgjigjen kërkesave të komisionit hetimor dhe, e katërta, kuvendi mandaton Komisionin Hetimor të shqyrtojë përputhshmërinë e procedurave të ndjekura, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, theksohet më tej.

Kujtojmë se më 29 mars Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) realizoi një operacion ndaj strukturës së organizatës terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Kosovë, duke sjellë në Turqi gjashtë pjesëtarë të nivelit të lartë të organizatës.

Operacioni u realizua në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës. Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina u sollën në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Pas këtij rasti, me kërkesë të deputetëve nga partitë opozitare LDK, LVV dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, ishte mbajtur edhe një seancë e jashtëzakonshme për rastin e deportimit të gjashtë pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO/PDY.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi