Kosova pret t’i lë në histori dështimet për anëtarësim në INTERPOL, këtë herë ka shpresë!

Kosova i ka përmbushur kushtet teknike për të qenë pjesë INTERPOL-it, por derisa Serbia thotë se Kosova do të pësojë debakël më 20 nëntor në Kosovë ka shpresa të mëdha që kësaj here do të ndodhë anëtarësimi i vendit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

Anëtarësimi në Interpol do të mundësonte të shkëmbehen informatat për grupe kriminale dhe individë të cilët janë zhytur në krim, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe dukuritë tjera negative, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit dhe në bashkëpunim me gjitha policitë e rajonit dhe botës.

Benifiti tjetër është që stafi i Policisë së Kosovës do të avancojë edhe në trajnimet e ndryshme, do të ishte edhe pjesë e Interpol-it në selinë e saj dhe në operacione edhe jashtë vendit.

Optimist se Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare për siguri, është treguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se pret nga Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, e cila do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, prej 18 deri më 21 nëntor, që Kosova të fitojë mundësinë për të ndihmuar në luftimin e krimit.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL përjetohet me emocione politike, porse theksoi se pas anëtarësimit nuk do të jetë ashtu.

Për sa i përket anëtarësimit në INTERPOL, kryeministri shprehi bindjen e tij se Kosova do të bëhet anëtare e kësaj organizatë ndërkombëtare për siguri, mirëpo për Qeverinë e udhëhequr nga ai, tha se ka vërejtje.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është vetëm mundësi që Kosova me ndihmuar luftimin e krimit, pra, humb krimi ,fiton ligji me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL”, tha Haradinaj.

Edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kosova duhet të jetë kontribuuese e sigurisë në rajon.

Në një prononcim për KosovaPress, ai ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës kontribuon dhe ka rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa ka shtuar se duhet punë dhe përkushtim për të rritur këtë siguri rajonale, e jo të rrezikohet kjo e fundit me mendjelehtësi.

Krahas rëndësisë së anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, Deda ka folur edhe për rëndësinë e zgjerimit të mandatit të Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK).

“Kosova dhe formimi, rizgjerimi i mandatit të FSK-së është shumë i rëndësishëm, hap shumë i rëndësishëm si për Kosovën, ashtu edhe për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, sepse FSK-ja është plotësisht e trajnuar nga NATO-ja dhe zgjerimi i mandatit në të njëjtën kohë vetëm sa e përforcon gatishmërinë e forcave tona të armatosura që një ditë të bëhen pjesë pikë së pari e partneritetit për paqe e pastaj edhe të NATO-s. Në të njëjtën kohë edhe politikisht Kosova duhet t’i tregoj vendeve perëndimore që integrimi i Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare vetëm sa e rritë këtë siguri e stabilitet rajonal. Mbajtja e Kosovës e izoluar nuk e rritë stabilitetin rajonal”, ka thënë ai.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë për KosovaPress se ky moment është shumë i rëndësishëm për vendin, pasi sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nënkupton masë shtesë të sigurisë. Ndërsa nuk ka mohuar dëmet që mund të vijnë nga aktiviteti diplomatik i Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Krahas kësaj, ai thotë se edhe institucionet e Kosovës nuk kanë qenë unike për lobimin e Kosovës në INTERPOL.

“Qeveria e kaluar… shumë më shumë kanë lobuar në legjislatura e kaluar, shumë më pak kanë punuar në këtë mandat, fatkeqësisht. Nuk kanë qenë fare unike në promovim. Tash kjo deri diku ndikon në ato shtete që nuk janë të qëndrueshme por e kanë votën, që realisht po e tërheqin njohjen e Kosovës, kjo është një fatkeqësi e madhe. Mendoj se kjo përgjithësisht ka me ndiku në anëtarësimin tash në Asamblenë e Interpolit, për pranim të Kosovës, mirëpo prapë e kam një shpresë të heshtur që sikurse ndodhi Palestina të pranohet papritur, edhe ne u tërhoqëm nga ajo kërkesë për anëtarësim, mund të ndodhë që Kosova papritur të anëtarësohet dhe kjo do të ishte shumë mirë, përkundër asaj se kemi 5-6 shtete që kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, tha ai.

Ibishi shpalos për KosovaPress rëndësinë e madhe që ka anëtarësimi i vendit në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë.

“Anëtarësimi ka një rëndësi shumë të madhe në kuptimin e asaj jo vetëm se këmben informacione, se ne nuk dimë se kush kalon nëpër Kosovë, a janë persona që janë pjesëtarë të organizatave terroriste dhe kalojnë Kosovën anë e kënd dhe ne nuk dimë për ta sepse nuk jemi aktiv në sistem, në kuptim të asaj se ne i marrim vetëm ato fletërreshtimet që ndonjëherë nuk kemi as qasje në to… Pra ne nuk jemi pjesë aktive e sistemit. Ne më tepër e kemi përfaqësimin në mes UNMIK-ut ndonjëherë dhe deskut suedez. Pra, në një formë më tepër marrim informacione, mirëpo jo në mënyrën e duhur. Kjo ndikon edhe në çështje tjera aty, edhe në aspektin e përfaqësimit tonë aty, sikurse që janë ato që Serbia dërgoi për pjesëtarët e UÇK-së, fletërreshtime të paqëndrueshme dhe kanë mundur edhe liderët tanë të arrestohen jashtë Kosovës, por kjo ka ndikim dhe i edukon kuadrot që ne do t’i kemi për INTERPOL”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, edhe analisti politik Agon Maliqi, pohon rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL.

“Anëtarësimi në INTERPOL sivjet është shumë i rëndësishëm. Përveç anës simbolike që ia shton Kosovës edhe një mekanizëm ndërkombëtar, e konsolidon edhe më tutje shtetësinë tonë ndërkombëtarisht. Sfidat në rajon janë shumë të mëdha, duke filluar nga krimi i organizuar, lufta kundër terrorizmit. Janë shumë sfida të cilat nuk mund t’i luftojmë ne. Dhe si i tillë edhe formimi i ushtrisë të Kosovës është jetik në këtë proces”, theksoi ai.

Ekspert i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu tha se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë përmbush të gjitha kushtet që moti që të anëtarësohen në INTERPOL dhe EUROPOL.

“Pengesën kryesore e kemi Serbinë dhe Rusinë të cilët refuzojnë që Kosova të anëtarësohet pikërisht për shkak të jo funksionalizimit të Kosovës. Do të thotë të parandalojnë Kosovën që t’i zë apo t’i ndjek penalisht edhe kriminelët që kanë marrë pjesë në luftën në Kosovë, por edhe së fundmi në Ukrainë dhe Siri, të cilët i kanë gjasat që të vijnë edhe në veriun e Kosovës të mshifen, ku Policia e Kosovës mund t’i kap shpejt, mund të ketë qasje në kapjen e tyre, në deportimin e tyre dhe atje ku kërkohen. Pikërisht kjo është frika edhe e Rusisë dhe Serbisë më e madhja, për çka lobojnë edhe kundër Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, anëtarësimi do të mundësonte të shkëmbehen informata për grupe kriminale dhe individ të cilët janë zhytur në krim për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe dukuritë tjera negative, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në bashkëpunim me gjitha policitë e rajonit dhe botës.

Benifiti tjetër, sipas Musliut, është që stafi i Policisë së Kosovës do të avancojë edhe në trajnimet e ndryshme, do të ishte edhe pjesë e Interpol-it në selinë e Interpol-it dhe në operacione edhe jashtë vendit.

Ndryshe, aplikimin e parë për anëtarësim në INTERPOL, Kosova e kishte bërë në vitin 2010 dhe më pas e kishte përsëritur 5 vjet më vonë, në 2015-n. Ndërsa në vitin 2017, Kosova kishte hequr dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për anëtarësim.

Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, do të mbahet prej 18 deri më 21 nëntor në Dubai./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi