Koreja e Veriut dhe Kina, Japonia kërkon superbuxhet për mbrojtjen

Ministri japonez i Mbrojtjes ka kërkuar një buxhet rekord, teksa vendi përpiqet të përballet me kërcënimin bërthamor e raketor të Koresë së Veriut, sikurse edhe t’i kundërpërgjigjet rritjes së ndjeshme të aktiviteteve ajrore e detare të Kinës në rajon.

Nëse miratohet nga kabiteni dhe Parlamenti, më vonë gjatë këtij viti, buxheti prej 5.3 trilion jenësh (48 mld dollarë) do të shënonte një rritje prej 2.1 për qind nga viti i kaluar dhe do të ishte rritja e shtatë radhazi nën drejtimin e kryeministrit konservator të Japonisë, Shinzo Abe.

Kërkesa për buxhetin, e publikuar këtë të premte nga Ministria, përfshin edhe 424 mld jenë për mbrojtjen raketore, me një rritje prej 180 mld jenë nga viti i kaluar. Një pjesë domethënëse e buxhetit, prej 234 mld jenë, do të shkojë për dy sistemet e mbrojtjes raketore të prodhimit amerikan “Aegis Ashore”, të cilat do të dislokohen në tokë me funksionin specifik për të ndjekur dhe rrëzuar raketat nga Koreja e Veriut.

Ushtria japoneze kërkon fonde dhe për interceptuesit “SM-3 Block IIA”, nga anijet në ajër, me një rreze shumë më të gjerë dhe saktësi shumë më të lartë, zhvilluar në bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, sikurse edhe për të rinovuar avionët luftarakë dhe ata bombardues, për t’i bërë më të përshtatshme me interceptuesit e avancuar të rivalëve.

Gjatë javës, zyrtarë të mbrojtjes thanë se Japonia duhet të vijojë qëndrimin e linjës së ashpër kundër regjimit të Penianit, pavarësisht rënies së lehtë të tensioneve pas samitit të qershorit mes Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi