Koncesioni i ri, 217 mln euro. Qeveria hap tenderin për rrugën Milot-Balldren

Qeveria hapi zyrtarisht tenderin për koncesionin e tretë të madh të programit 1 miliardë euro. Pas Rrugës së Arbrit dhe autostradës Thumanë-Kashar, projekti i radhës që do të jepet me koncesion është rruga Milot-Balldren.

Ky segment është 17.2 kilometër e gjatë dhe ka një kosto ndërtimi 161.5 milionë euro. Por duke përfshirë me mirëmbajtjen dhe interesat që shteti do I paguajë kompanisë private për 13 vjet, fatura totale e rrugës mund të arrijë deri në 217.3 milionë euro ose 12.6 milionë euro për një kilometër.

Ashtu si dy projektet e mëparshme edhe për rrugën Milot-Balldren do të ndiqet e njëjta formulë standard. Vepra do të ndërtohet me fondet e vetë kompanisë private dhe më pas qeveria do e paguajë atë me këste për 13 vjet.

Rruga Milot-Balldren shtrihet përgjatë aksit ekzistues që lidh Milotin me qytetin e Lezhës. Më pas ajo devijon si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Propozimi për ndërtimin e kësaj rruge është bërë nga kompania shqiptare ANK përmes një oferte të pakërkuar. Për këtë propozim ANK është shpërblyer nga qeveria me bonus sa 8.5 për qind të pikëve, çka e bën të avantazhuar ne tenderin që do të zhvillohet në datën 4 shtator.

Dy projektet për të cilat është shpallur fituesi, Rruga e Arbrit dhe ajo Thumanë-Kashar kanë një kosto ndërtimi prej 465.8 milionë euro. Duke përfshirë dhe koston e Milot-Balldren, vlera e koncesioneve të dhëna deri më tani arrin mbi 627 milionë euro. Por këto janë vetëm kostot e ndërtimit. Nëse përfshihen dhe interesat si dhe mirëmbajtja e rrugëve për 13 vjet fatura që qytetarët do të paguajnë për këto tre vepra kërcen në 800 milionë euro.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi