Komisioneri i BE-së paralajmëron Italinë për pagesën e kontributeve

Komisioneri i Bashkimit Europian Guenther Oettinger paralajmëroi Italinë të mërkurën se do të përballet me pagesat e interesit, nëse nuk i paguan kontributet buxhetore në kohë.

Javën e kaluar, nënkryeministri i Italisë, Luigi Di Maio, kërcënoi të pezullonte kontributet ndaj BE-së në vitin e ardhshëm, nëse partnerët nuk binin dakort të merrnin emigrantë të shpëtuar që po mbaheshin në një anije në një port italian.

Pastaj të hënën, pasi vetëm Irlanda dhe Shqipëria ofruan ndihmë për emigrantët, Di Maio tha se Italia do të vërë veton ndaj planit shtatë vjeçar të buxhetit të BE-së, nëse blloku nuk fillon të ndajë barrën e ardhjes së migrantëve në det.

“Roma duhet të dijë paralajmërimin se nuk mund të ngatërrojë çështjen e politikës së emigrantëve, me atë të buxhetit të BE-së”, tha për Daily Die Welt, Oettinger, një gjerman i cili shërben si komisioner i buxhetit të bllokut.

“Të gjithë anëtarët evropianë janë të detyruar të paguajnë kontributet e tyre në kohë. Çdo gjë tjetër do të ishte një shkelje e traktatit, që do të shkaktonte pagesa të interesit”, tha ai.

Kontributi vjetor i Italisë në buxhetin e BE është rreth 14 miliardë euro. I pyetur për vërejtjet e Oettinger të mërkurën gjatë një vizite në Kajro, Di Maio tha se qëndrimi i Italisë për vënien e vetos ndaj buxhetit, ishte i pandryshuar.

“Nëse në ditët në vijim partnerët e BE-së dëshirojnë të rizbulojnë frymën e solidaritetit në të cilën u themelua Bashkimi Europian, ndoshta mund të flasim për heqjen e vetos”, tha ai./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi