Kleri marshon kundër krimit: Kultura e Shkodrës, më e fortë sesa plumbat e drogës

Vetëm paqja dhe respekti ndaj njëri-tjetrit shpëton Shkodrën dhe Shqipërinë nga krimi. Për këtë, Kisha Katolike në Shkodër dhe Myftinia shprehën gatishmërinë e tyre për të kontribuuar.

Deklaratat u bënë mbrëmjen e së premtes, në një marshim në pedonalen e qytetit, ku qytetarë të shumtë, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare shprehën revoltën kundër ngjarjeve të fundit kriminale në kryeqendrën e veriut.

“Rroftë paqja, rroftë Zoti dhe e mira e qofshim sa më të bashkuar për të bërë më të mirën. I keqi dhe e keqja të zhduken nga zemra e njeriut. Ata që janë të vendosur për të bërë të keqen do të lusim Zotin t’ua ndryshojë mendjen, sepse duke bërë të këqija, herët a vonë zbulohesh. Të zbulon Zoti, të zbulon vet shoqëria, apo policia. Por të zbulon edhe ndërgjegjja jote. Ata që bëjnë të këqija nuk mund të jetojnë me ndërgjegje të pastër, nuk mund të flejnë gjumë rehat. Atëherë themi o Zot, na ndihmo që të gjithë të kuptojmë se jeta është e bukur e duhet të jetohet me liri, me shpresë, me guxim e në bashkim”, tha Monsinjor Angelo Massafra, arkipeshkv metropolitan Shkodër-Pult.

“Jeta është një amanet, një dhuratë e të madhit Zot që ia ka dhuruar njeriut dhe njeriu duhet të zbatojë të gjitha detyrat dhe urdhëresat e dhëna nga i madhi Zot. Asnjëherë nuk duhet ta dhunojmë tjetrin, asnjëherë nuk duhet t’i marrim jetën tjetrit, se atë e merr vetëm i madhi Zot dhe kurrkush nuk ka të drejtë. Prandaj të ulen armët përtokë, të mos qëllojmë e të mos vrasim. Të mos lëndojmë zemrat e nënave, të mos turpërojmë baballarët e të mos shkatërrojmë vëllezërit, as Shkodrën e Shqipërinë”, tha Fejzi Zaganjori, përfaqësues i Myftinisë së Shkodrës.

Qytetarët mbanin në duar parulla, ku shkruhej “Kultura e Shkodrës është më fortë sesa plumbat e drogës”.

Në dy muajt e fundit, në këtë qytet kanë ndodhur 6 vrasje dhe dy rrëmbime, ngjarje të cilat jo vetëm kanë tronditur opinionin, por kanë sjellë edhe reagime të shumta./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi