KFOR mbron aksionin e policisë së Kosovës në veri: Nuk bëjmë lajmërime në emër të askujt

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka mbrojtur sërish aksionin e policisë së Kosovës në veri.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka reaguar sërish ndaj akuzave nga zyrtarë të lartë të shtetit serb që i akuzuan për mos lajmërim të aksionit të policisë së Kosovës në veri.

Grasso ka thënë se kurrë nuk kishte thënë se KFOR-i e ka dhënë informacionin dhe se KFOR-i nuk mund të jep asnjë lloj informacioni në emër të dikuj tjetër, transmeton lajmi.net.

Në reagimin e tij të ri ndaj akuzave nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Grasso tha për “Danas”: “Mendoj se është e rëndësishme ta themi atë që ka ndodhur në mënyrë që t’u shmangemi mosmarrëveshjeve. Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në bazë të urdhërarrestit nga prokuroria e Kosovës si dhe si rezultat i hetimeve kriminale”.

Ai po ashtu theksoi se aksioni nuk ka qenë i fokusuar vetëm në veri por edhe në rajone tjera të Kosovës.

“Ky operacion është realizuar në komuna të ndryshme të Kosovës dhe rezultati i saj ishte arrestimi i civilëve dhe policëve të kombësive të ndryshme, shqiptarë, serbë dhe boshnjakë. Po ashtu, nuk kishte asnjë konfrontim ndëretnik. Kishte tensione, sidomos në Zubin Potok, vend me shumicë të banorëve serbë të cilët reaguan kundër policisë duke vendosur barrikada në rrugë”, theksoi ai.

Grasso insistoi se nuk ekzistonte asnjë arsye për të reaguar ndaj aksionit të policisë së Kosovës.

“Nuk ekzistonte asnjë arsye për reagim ndaj aksionit që kishte për qëllim ndalimin e krimit, që u shkon në favor të gjithëve”, u shpreh Grasso, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, KFOR-i e kishte monitoruar situatën dhe zhvillimet në terren duke qenë i gatshëm të intervenojë në rast të nevojës. Grasso ka folur edhe për bashkëpunimin e tyre me ushtrinë serbe.

“KFOR ka bashkëpunim të vazhdueshëm me forcat e armatosura të Serbisë. Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyeshëm në të gjitha shkallët duke filluar nga komandanti i KFOR-it i cili vazhdimisht takohet me kreun ushtarak të Serbisë, pastaj tek njësitet që bëjnë patrullime të ndryshme në linjat administrative”, shtoi ai. Grasso ka thënë se ka siguri në veri të Kosovës.

“Gjendja e sigurisë është nën kontroll në të gjitha pjesët e Kosovës. Kërcënimet më të mëdha ndaj paqes dhe stabilitetit janë retorika e ashpër dhe përsëritja e shprehjeve që nuk i do askush, sidomos jo populli”, tha ai. “KFOR nuk pret asnjë tension dhe u bën thirrje të gjithëve, në të gjitha palët, të përmbahen nga deklaratat agresive dhe provokimet”, përfundoi Grasso.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi