Këtë vit pushimet në Shqipëri janë më të shtrenjta, për këtë arsye!

Këtë vit pushimet në Shqipëri do të kushtojnë më shumë pasi euro ka rënë kundrejtë lekut. Euro kushtoi 1.36 lekë më lirë në tregun valutor të martën në krahasim me kursin e ditës së hënë, ndërsa leku shqiptar u forcua me 1%, një ndryshim surprizë pas deklaratës për ndërhyrje të jashtëzakonshme nga ana e Bankës së Shqipërisë javën e kaluar.

Kundrejt dollarit amerikan leku u forcua gjithashtu me afro 1.1%. Euro u shkëmbye mesatarisht për 127 lekë ndërsa dollari 107.6 lekë sipas kursit fiks që publikohet nga Banka e Shqipërisë.

Leku u dobësua me shpejtësi që nga e mërkura e shkuar, pasi shënoi kuotën më të fortë në dhjetë vjet më datë 5 qershor. Shqetësuar nga destabiliteti që po shkaktohej nga forcimi i shpejtë i lekut dhe duke e konsideruar forcimin si një problem psikologjik në treg, Banka e Shqipërisë deklaroi se do të ndërhyjë për të blerë eurot e tepërta “për të shmangur forcimin e mëtejshëm”.

Por deklarata e BSH nuk bëri të ditur nëse synimi i ndërhyrjes ishte thjeshtë shmangia e forcimit të mëtejshëm apo kthimi i lekut në një kuotë më të lartë shkëmbimi kundrejt euros. Pas tre ditësh pune me rënie të shpejtë, leku u forcua të martën duke ndryshuar tendencë. Sot euro kushtoi 2.3% më lirë se sa rekordi shumëvjeçar i 5 qershorit, por vijon të jetë 5.2% më e lirë se sa një vit më parë.

Përmasat e ndërhyrjes së BSH në tregun e këmbimit valutor nuk dihen dhe është e pamundur të kuptohet se sa ndikim ka pasur vetë deklarata për ndërhyrje në krahasim me ndërhyrjen në tregun real./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi